MaqedoniTop Lajme

Për më pak se tre vjet 75 viktima në aksidente, 0 të dënuar

Shpërndaje

Nga tragjedia në tragjedi, askush nuk mban përgjegjësi për jetët e humbura në aksidente tragjike ku përfshihen shtetasit e Maqedonisë së Veriut, raporton SHENJA.

Vetëm në 3 vitet e fundit, 75 persona kanë humbur jetën në tragjedi të ndryshme, ndërsa disa dhjetëra të tjerë kanë përfunduar me lëndime të rënda trupore.

Ende të freskëta në memorien e qytetarëve janë pamjet tragjike nga aksidenti në Llaskarcë. Më 13 shkurt 2019, një autobus i kompanisë “Durmo Turs” u rrokullis në rrugën Shkup – Tetovë dhe si pasojë 16 persona humbën jetën. Numri i viktimave mund të ishte edhe më i madh po të mos ishte ndihma e banorëve lokal, të cilët ndihmuan të aksidentuarit. Sot e kësaj dite, gjykata nuk ka dënuar asnjë person për tragjedinë. Gjykimi po vazhdon, ndërsa po gjykohen 6 persona, përfshi pronarin e kompanisë, shoferin dhe Qendrën e Kontrollit Teknik në Gostivar, e cila ka kryer kontrollin teknik të autobusëve.

Më 8 shtator të këtij viti, Spitali modular për Covid në Tetovë u përfshi nga flakët. Brenda disa sekondave, spitali u shkatërrua tërësisht, ndërsa brenda gjetën vdekjen 12 pacientë dhe 2 familjarë të pacientëve. Hetimi për këtë rast akoma po vazhdon, ndërsa deri tani nuk është arrestuar asnjë i dyshuar për përgjegjësi të mundshme. Jo vetëm që nuk ka arrestime, por kryeministri Zoran Zaev nuk pranoi as dorëheqjet morale të Ministrit të Shëndetësisë Venko Filipçe dhe zëvendësit të tij Ilir Hasani.

Tragjedia e fundit dhe më e rënda ndodhi mëngjesin e djeshëm në Bullgari, kur autobusi i “Besa Trans” u aksidentua dhe u dogj në Bullgari, me 52 udhëtarë që po ktheheshin nga Turqia. 45 persona, mes të cilëve shumë fëmijë, gjetën vdekjen në mes flakëve. Edhe pse u konstatuan lëshime serioze nga kompania, më shumë se 36 orë pas tragjedisë akoma askush nuk është vënë në pranga. Ministria e Transportit dhe Lidhjeve njoftoi se autobusi i aksidentuar nuk është deklaruar nga Agjencia “Besa Trans” si automjet që përdoret për transport ndërkombëtar të udhëtarëve. Mbetet e paqartë se si autobusi pa asnjë dokument adekuat, ka arritur të kalojë doganën e Maqedonisë së Veriut, Bullgarisë dhe Turqisë. /SHENJA/