UNT dhe Universiteti Evropian në Shkup nënshkruajnë memorandum bashkëpunimi për forcimin e lidhjeve akademike dhe shkencore
Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup ka kurorëzuar sot një hap të rëndësishëm drejt zgjerimit të bashkëpunimit ndëruniversitar, duke nënshkruar një Memorandum Bashkëpunimi me Universitetin Evropian në Shkup. Marrëveshja u nënshkrua në një takim zyrtar nga rektori i UNT-së, Prof. dr. Bekim Fetaji, dhe rektorja e Universitetit Evropian, Prof. dr. Biljana Angleska-Bogdanovska.
Ky Memorandum synon zhvillimin e lidhjeve akademike, thellimin hulumtimeve shkencore ndërmjet dy institucioneve, duke përfshirë fusha me interes të ndërsjellë si, zhvillimin e përbashkët të programeve të studimit, si dhe programeve të studimit Joint degree dhe Double degree, organizimin e përbashkët të projekteve shkencore, simpoziumeve, konferencave dhe punëtoreve, shkëmbimin e kuadrit akademik (mësimdhënësve dhe bashkëpunëtorëve) dhe të studentëve të të gjitha cikleve të studimit, bashkëpunimin në fushën e promovimit të përbashkët.
Në këtë takim, rektori Fetaji ishte i shoqëruar nga prorektori Prof. Dr. Fati Iseni, sekretari i Përgjithshëm Dr. Rahim Jashari, si dhe profesori Miki Runtev.
Marrëveshja e nënshkruar sot thekson përkushtimin e dy universiteteve për të integruar përvojat dhe kapacitetet e tyre, duke hapur perspektiva të reja për studentët dhe stafin akademik të të dyja institucioneve.

