Shasivari për gjykimin e krerëve të UÇK-së: Nuk mbaj anë, të respektohet prezumimi i pafajësisë
Ministri i Drejtësisë Jeton Shasivari vlerëson se është shtrembëruar porosia e tij për popullin dhe institucionet e Kosovës që të respektojnë çfarëdo vendimi që do të shpallë Gjykata e Hagës për ish krerët e UÇK-së.
I pyetur drejtpërdrejtë nëse beson në pafajësinë e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, ministri Shasivari as nuk pohon e as nuk mohon, por insiston në qëndrimin e tij neutral se duhet të respektohet parimi i prezumimit të pafajësisë.
“Përderisa janë në këtë fazë të procesit, vlen standardi evropian i prezumimit të pafajësisë dhe ajo është e përfshirë në qëndrimin dhe mesazhin tim që e pata. Prandaj nuk ka absolutisht që thuhet se kam prejudikuar ose kam marrë anë. Mesazhi im ka qenë thjeshtë për shtetin e Kosovës, për popullin e Kosovës, për sakrificën dhe atë qëndrim e kam. Më vjen keq që për manipulime politike shtrembërohen disa pjesë nga qëndrimi im”, deklaroi për Alsat Jeton Shasivari, Ministër i Drejtësisë.
I pyetur nëse si ministër shqiptar është e drejtë të jetë neutral në rrethana kur kjo çështje ka të bëjë me luftën e Kosovës dhe agresionin e Serbisë ndaj popullatës civile, Shasivari thekson se nuk e vë në pikëpyetje sakrificën, por porosia e tij është për respektimin e sundimit të së drejtës.
“Mesazhi im për Republikën e Kosovës ka qenë institucional, evropian, në të mirën e Republikës së Kosovës, sakrificën, sundimin e së drejtës si parim bazë që garantohet edhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe procesin e drejtë gjyqësor”, shtoi Shasivari.
Në statusin e tij në Facebook që shkaktoi valë reagimesh, Shasivari porositi që më 16 shtator nuk duhet të sundojnë emocionet, por në këtë proces, në qendër duhet të jenë të gjithë personat që pretendojnë se kanë qenë viktima të veprave penale, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike. Megjithatë, ky qëndrim ka shkaktuar shqetësim për shkak bindjeve se po barazohet agresori serb me viktimën kosovare, por edhe për shkak të dyshimeve të bazuara për ndërhyrje të rrymave serbo-ruse në procesin gjyqësor, me qëllim të njollosjes së UÇK-së nga një ushtri çlirimtare në një grup kriminal. /Alsat.mk
Reagimi në facebook:
MOS MË ATRIBUONI NJË QËNDRIM QË NUK E KAM THËNË
Po shoh tentativa për të shtrembëruar dhe keqinterpretuar fjalët e mia. Është e rëndësishme të theksoj se unë as e kam mbështetur dhe aq më pak ia kam mbledhur votat Gjykatës Speciale, siç kanë bërë Ali Ahmeti e Berat Buzhala, që e pranojnë edhe vetë.
Ajo sot është realitet si pasojë e angazhimit të dikuj. Neve na mbetet të merremi me pasojat.
Thirrja ime ishte në interes të Republikës së Kosovës, imazhit të pastër të UÇK-së dhe shqiptarëve në përgjithësi.
Prandaj, në vend që të më atribuoni diçka që nuk e kam thënë, lexoni atë që kam thënë në të vërtetë.
Keqinterpretimet dhe shtrembërimet janë pjellë e atyre që përdorin çdo gjë të shenjtë në betejë politike.
MESAZH PËR KOSOVËN: DREJTËSIA NUK KA ANË POLITIKE
Më 16 shtator nuk duhet të gjykojë rruga, politika apo emocionet. Do të flasë gjykata.
Dhe çfarëdo që të jetë vendimi, ai duhet të respektohet, me ç’rast palët e kanë të drejtën e ankesës.
Në këtë proces, në qendër duhet të jenë të gjithë personat që pretendojnë se kanë qenë viktima të veprave penale, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike – shqiptarë, serbë, romë apo të tjerë – si dhe të drejtat e çdo të akuzuari.
Për faktet, përgjegjësinë dhe fajësinë mund të vendosë vetëm gjykata, mbi bazën e provave dhe ligjit. Asnjë deklaratë politike nuk mund ta zëvendësojë vlerësimin gjyqësor të provave dhe as të paragjykojë fajësinë apo pafajësinë.
Një Kosovë që synon standardet evropiane nuk mund të zgjedhë cilat viktima do t’i dëgjojë dhe cilat do t’i harrojë. Drejtësia duhet të jetë e barabartë për të gjithë.
Kosova nuk ka nevojë për presion politik mbi drejtësinë. Ka nevojë për besim në drejtësi.
Si Ministër i Drejtësisë, besoj se përgjegjësia institucionale është e qartë: pavarësia e gjyqësorit duhet të garantohet, vendimet gjyqësore duhet të respektohen, ndërsa të drejtat e çdo viktime dhe të çdo të akuzuari duhet të mbrohen në përputhje me ligjin.
Institucionet e Kosovës duhet ta përballojnë këtë moment me qetësi, përgjegjësi dhe maturi shtetërore.
Në një demokraci funksionale, forca e shtetit nuk matet me reagimin ndaj një vendimi, por me aftësinë për ta respektuar ligjin dhe institucionet pikërisht atëherë kur kjo është më e vështirë.
Prandaj, mesazhi im institucional për Kosovën është i thjeshtë:
Respektoni gjykatën. Respektoni vendimin. Mbroni integritetin e institucioneve.
Sepse drejtësia nuk i përket një partie, një qeverie apo një individi.
Drejtësia i përket shtetit dhe të gjithë qytetarëve të tij.
Ky është standardi evropian.

