Prokuroria ndërmerr veprime për të gjetur të mbijetuarin e tetë nga aksidenti në Bullgari
Prokuroria Publike njofton se do të krahasohen listat e udhëtarëve që kanë kaluar vendkalimet kufitare, me qëllim që të gjendet udhëtari i 52 i autobusit të djegur në autostradën “Struma” të Bullgarisë, shkruan TV21.
“Prokuroria për ndjekje të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka dhënë urdhër gojorë deri tek Sektori për Punë të Brendshme në Shkup që të sigurojnë listë të udhëtarëve të cilët me autobusë të “Besa Trans” kanë lëshuar Republikën e Maqedonisë së Veriut me datë 18.11.2021, dhe listën e udhëtarëve që kanë hyrë në vendin tonë me datë 22.11.2021″, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Nga Prokuroria theksojnë se e njëjta procedurë po bëhet edhe nga Prokuroria bullgare.
“Të njëjtën procedurë po e zbaton edhe Prokuroria bullgare, e cila po krahason listat nga vendkalimet kufitare për hyrje të udhëtarëve nga Republika e Maqedonisë së Veriut në Republikën e Bullgarisë me datë 18.112021, dhe listat për hyrje nga Republika e Turqisë në Republikën e Maqedonisë me datë 22.11.2021, si dhe dalje nga Bullgaria në drejtim të vendit tonë gjatë ditës së nesërme”, thonë nga Prokuroria.
Ndryshe, sot Prokuroria Bullgare njoftoi se në mbetjet e autobusit janë gjetur 44 kufoma, ndërsa sipas listës së pasagjerëve, në autobus kanë udhëtuar 52 persona, kurse në spital ka 7 persona. Pyetja është se ku ndodhet i mbijetuari i tetë!?/