Rama për “Open Balkan”: S’dua të hyj në polemika me Kurtin – qasja e Kosovës e destinuar të dështojë

Shpërndaje

Kryeministri shqiptar Edi Rama e cilësoi produktiv takimin e zhvilluar në Beograd në kuadër të nismës rajonale “Open Balkan”.

Rama komentoi edhe deklaratat e kryeministrit kosovar Albin Kurtit “Open Balkan” I cili e ka quajtur këtë nismë pa vizion.

“Nuk dua të hyj në polemika me Albinin. Albini ka vizionin e vet. Unë dua më të mirën për Kosovën dhe nuk mund të rri pa e thënë që qasja e derisotme është një qasje e destinuar të dështojë dhe është një qasje që nuk e çon Kosovën asgjëkundi, përkundrazi prej disa vitesh e ka kthyer Kosovën nga një forcë shumë pozitive dhe nga një partner shumë i besueshëm dhe shumë i dëshiruar i aleatëve të shqiptarëve në një problem të tyre. Dhe kjo nuk është gjë pozitive”, tha ai në një intervistë për “News 24”.

Si e sheh ai idejnë e homologut të tij nga Kosova për rimodelimin e CEFTA në SEFTA sipas modelit EEA (vende nordike plus BE)?

“Kosova është sot një realitet i pakthyeshëm, një shtet sovran që ka problemin e hapur të domosdoshmërisë për t’u njohur nga të gjithë dhe për t’u ulur me të drejta të plota në kombet e bashkuara dhe në të gjitha instancat e tjera dhe që ka të gjithë autoritetin e nevojshëm demokratik për të marrë vendime për veten, por që nuk është në pozicionin që të harrojë se nga vjen, nuk është në pozicionin se është si rezultat i një lufte çlirimtare të mbështetur fuqimisht nga fuqitë e mëdha mike të shqiptarëve dhe nuk është në pozicionin që të marri rrugë të reja pa u konsultuar me askënd dhe për më tepër rrugë të reja që askush nuk i mbështet siç është edhe në rastin konkret. Ne nuk kemi fuqi të ndryshojmë mënyrën si funksionon bota, ne nuk kemi fuqi për të marrë vendime për të mëdhenjtë e kësaj bote”.

“Ne kemi vetëm mundësinë të shfrytëzojmë fuqinë tonë për të marrë vendimet e duhura për vete, pa harruar që nuk jemi vetëm por që kemi të tjerë me të cilët duhet të konsultohemi dhe këto janë aleatët tanë strategjik. Kështu që këto janë ide që absolutisht janë legjitime, mund të diskutohen, por që janë humbje kohe përsa kohë askush nuk i sheh me interes në tryezat ku merren vendime, që do të thotë në Bruksel, Berlin, Paris, Ëashington. Kështu që për çfarë duhet ta humbasim kohën. Dhe sigurisht që gjithkush është në të drejtën e tij të përdorë fuqinë që i ka dhënë populli siç e mendon, por unë nuk mendoj që fuqia nga populli mund të përdoret për të hyrë në rrugë ku je vetëm”.