Rama: Serbia do t’i kërkojë falje Kosovës në fund të dialogut
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama gjatë bashkëbisedimit me gazetarë në Beograd ka thënë se kërim-falja nga Serbia për Kosovën vjen pasi të përfundojë dialogu mes dy shteteve.
Rama mori shembull rastin e Gjermanisë e Francës, duke thënë se as Gjermania nuk kishte kërkuar falje pas Luftës së Dytë Botërore.
“Ju keni dëgjuar që është thënë se Serbia duhet të kërkoj falje, dhe jam shumë dakord, dhe mendoj se është kapaku që i duhet vënë përfundimisht një dialogu që duhet të zgjidh të gjitha çështjet dhe t’i japi zgjidhje njohjes së Kosovës nga Serbia”, tha Rama.
Tutje, ai tha se “Aty ku dalloj unë me ata që ma kanë vënë përpara faljen, për të më treguar se sa jam unë tradhtar, unë u them se falja vjen në fund, nuk mund të vij në fillim”.
“Nuk ka ardhur kërkesa e faljes së Gjermanisë në 1945, ka ardhur në 1969, dhe deri atëherë Gjermania e Franca kanë bërë gjithçka përveçse kanë arritur paqen përfundimtare dhe e kanë filluar saktësisht siç po ndodh me Ballkanin e Hapur”, theksoi Rama.
Duke folur për Ballkanin e Hapur, Rama tha se kjo nismë nuk ndikon në dialogun Kosovë-Serbi.
“Ky proces nuk interferon me dialogun e domosdoshëm mes Serbisë e Kosovës, por në këndvështrimin tim e lehtëson dialogun, dhe bën atë që ka bërë një proces shumë i ngjashëm një proces shumë i ngjashëm mes Gjermanisë e Francës”, tha kryeministri i Shqipërisë.