RajoniTop Lajme

Në Kuvend u bënë homazhe në nderim të ish-deputetes Flora Brovina

Shpërndaje

Sot, në hollin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, u bënë homazhe në nderim të ish-deputetes së Kuvendit të Republikës së Kosovës, veprimtares dhe humanistes, Flora Brovina.

Në shenjë nderimi dhe respekti për jetën dhe veprën e saj, si dhe duke vlerësuar lart kontributin e saj gjatë veprimtarisë publike dhe parlamentare, kryetarja e Kuvendit, njëherësh U.D. Presidente, Albulena Haxhiu, së bashku me bashkëpunëtorë, vendosi lule dhe bëri homazhe pranë arkivolit të znj. Brovina.

Në librin e zisë, kryetarja Haxhiu vlerësoi lart figurën dhe kontributin e Flora Brovinës.

“Lajmi për ndarjen nga jeta të Flora Brovinës na pikëlloi të gjithëve. Flora Brovina gjithë jetën e saj ia kushtoi qytetarëve të kombit tonë.

Kosova humbi një mjeke, humaniste, veprimtare politike, veterane të UÇK-së dhe nënshkruese të Deklaratës së Pavarësisë.
Ne do ta kujtojmë përherë për veprat e saj, që do të mbeten përherë në mendjen dhe zemrën e secilit. Prehu në paqe, grua e fortë!”, ka shkruar kryetarja Haxhiu.

Homazhe në nderim të Flora Brovinës bënë edhe deputetë të Kuvendit nga subjekte të ndryshme politike, Lëvizjes VETËVENDOSJE!, PDK-së, LDK-së, AAK-së e subjekteve të tjera, zyrtarë të administratës, përfaqësues të institucioneve të tjera qendrore dhe lokale, bashkëveprimtarë të saj, miq, familjarë dhe qytetarë të shumtë.