Rexhepi: Në parim e pranoj sfidën e Micevskit, por Alternativa vendimin përfundimtar do ta marrë nesër

Shpërndaje

Deputeti i Alternativës, Skender Rexhepi sonte konfirmoi se e pranon sfidën të cilën sot ia propozoi koordinatori i grupit parlamentar i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micesvki, që të nënshkruhet në iniciativën e re për votëbesim të Qeverisë.

“Në parim e pranoj sfidën e Micevskit, nesër kryesia e Alternativës do ta marrë vendimin përfundimtar”, deklaroi Rexhepi për “Slloboden peçat”. (Shtypi i lirë).

Me deklaratën e tillë, Rexhepi i konfirmoi paralajmërimet paraprake se qëndrimin përfundimtar për iniciativën për votëbesim të Qeverisë, Alternativa do ta marrë nesër.

Rexhepi dje deklaroi se ishte “gënjyer” që të nënshkruhet në iniciativën për shumicën e re parlamentare, duke theksuar se nuk dëshiron të merr pjesë në rrëzimin e Qeverisë bashkë me deputetë të partisë E majta. Ai madje paralajmëroi edhe se do të largohet nga Alternativa, nëse partia bashkë me Të majtën merr pjesë në rrëzimin e Qeverisë.

Micevski sot përmes Fejsbukut i ofroi Rexhepit që të parashtrojnë iniciativë të re për votëbesim të qeverisë në të cilën ai do të nënshkruhej bashkë me edhe 19 deputetë të VMRO-DPMNE-së.

“Kolegu Skender Rexhepi, ta ruajmë dinjitetin e deputetëve dhe prandaj ju bëj thirrje që së bashku t’i japim fund nëpërkëmbjes së deputetëve nga regjimi hibrid dhe në përputhje me nenin 92 të Kushtetutës, të zgjedhim 19 deputetë nga Grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së, i cili do të dorëzojë në Kuvend iniciativë të re për votëbesimin ndaj Qeverisë së regjimit hibrid LSDM-BDI”, shkroi Micevski në Fejsbuk.