17 dhjetor 2012 | Fjala e Prof. Dr. Fadil Sulejmanit, laureat i çmimit “Doctor Honoris Causa” i Universitetit Shtetëror të Tetovës

Shpërndaje

17 dhjetor 2012 | Fjala e Prof. Dr. Fadil Sulejmanit, laureat i çmimit “Doctor Honoris Causa” i Universitetit Shtetëror të Tetovës

Të nderuara zonja dhe zotërinj,

Ju përshëndes dhe ju dëshiroj mirëseardhje të gjithëve në këtë manifestim kulturor të Përvjetorit XVIII të Universitetit të Tetovës!

I nderuari zotëri Rektor, Universiteti i Tetovës, ka një histori sa të lavdishme e të bujshme aq edhe të hidhur e të dhimbshme, meqë për lindjen dhe ngritjen e këtij universiteti shqip u derdh shumë lot, gjak e djersë; pati shumë shpenzime financiare dhe dëme materiale, maltretime, ndjekje, rrahje, arrestime, izolime, burgosje dhe vrasje të shqiptarëve; u bastisën, u plaçkitën dhe u rrënuan shumë shtëpi të tyre vetëm e vetëm pse ne deshëm të mësojmë, të lexojmë e të shkruajmë në gjuhën tonë amtare shqipe.

Për këtë universitet dhe për këtë gjuhë ranë dëshmorë shumë studentë, punëtorë dhe qytetarë shqiptarë: Bedri Halimi, Zejadin Zimberi, Xhemil Abduramani, Burim Hyseini, Abdylselam Emini e të tjerë, gjaku i të cilëve është bërë dritë dhe sot ndriçon rrugën e diturisë sonë.

Por këto humbje janë fare të vogla në krahasim me fitoren e madhe që arriti Universiteti i Tetovës dhe populli shqiptarë në atdheun e vet në Maqedoni. Fituan gjërat e shenjta të popullit: shkenca, arsimi, arti dhe kultura mbi dhunën. Triumfoi dituria mbi barbarinë, shkolla mbi obskurantizmin mesjetar.

Në këtë luftë për mbijetesën e Universitetit të Tetovës, për themelimin dhe konsolidimin e tij institucional u përfshi mbarë kombi shqiptar anekënd botës. Pavarësisht se kush e mbajti barën më të madhe a më të vogël, ne të gjithë e deshëm dhe e përkrahëm këtë universitet, qoftë edhe moralisht me një fjalë të bukur.

Megjithatë, unë me këtë rast në këtë përvjetor desha të theksojë disa kategori njerëzish që u ballafaquan drejtpërdrejt me vështirësitë e themelimit dhe të zhvillimit të Universitetit të Tetovës, e që meritojnë falënderime dhe mirënjohje të veçantë publike.

Në radhë të parë falënderoj familjen time, veçmas bashkëshorten, profesoreshën Haxhere Sulejmanin, të cilët vuajtën pasojat e vështirësive të lindjes dhe të mëkëmbjes së Universitetit të Tetovës. Megjithatë, ata kurrë nuk u ligështuan dhe nuk u dorëzuan, përkundrazi qëndruan pranë meje, përkrahën idetë dhe veprat e mia, gjithnjë duke më inkurajuar dhe ndihmuar që këtë punë humane dhe me interes kombëtar ta çoj deri në fund;

Katundin Poroj që i hapi i pari jo vetëm dyert, por edhe zemrat Universitetit të Tetovës, duke rrezikuar kështu edhe jetën e familjeve të tyre;

Qytetthin universitar, Reçicën e Vogël dhe qytetarët e tjerë shqiptarë që ia dhanë Universitetit të Tetovës shtëpitë e veta në shfrytëzim mësimor pa kurrfarë interesi dhe qiraje;

Dashamirët e Universitetit të Tetovës që ndihmuan aksionin me mjete financiare dhe materiale për funksionimin e universitetit, qoftë edhe me një mark apo dinar. Nga këta humanistë që dhanë një kontribut më të madh financiar për universitetin tonë, dua të veçoj Lazim Destanin dhe Hajdar Abazin nga Tetova, Nazar Mehmetin nga Prespa e të tjerë;

Fondet e Universitetit të Tetovës në diasporë, kryesisht në Zvicër dhe në Gjermani, ku bashkatdhetarët tanë kontribuan më shumë në mbledhjen e mjeteve financiare për universitetin tonë, dhe kjo i kushtohet edhe organizimit të mirë të punës së udhëheqësve të tyre, Shaban Ipçes për Zvicër dhe Telat Salijit për Gjermani;

Gjeneratën e parë të studentëve dhe të pedagogëve për guximin dhe trimërinë që treguan, duke mbajtur ligjëratat e para mësimore para tytave të automatikëve;

Profesorët nga Kosova dhe Shqipëria, të cilët në momentet më kritike të Universitetit të Tetovës dhe në kohën kur ai kishte nevojë më të madhe për kuadro mësimore, ata iu përgjigjën me përkushtim thirrjes së këtij universiteti, duke dhënë aty rregullisht kontributin e tyre profesional – shkencor, përkundër presionit policor dhe vështirësive atmosferike që patën në udhëtim e sipër;

Bashkësinë fetare islame të Tetovës, në mënyrë të veçantë udhëheqësin e saj z. Alifikriun, i cili m’i dha çelësat e objektit banesor të tyre, ku filloi punët administrata e parë e universitetit.

Shtetet demokratike dhe mike të shqiptarëve, SHBA-të, Kroacinë, Slloveninë, Turqinë, Bullgarinë, Austrinë, Gjermaninë, Italinë, Francën, të cilat e njohën të parat Universitetin e Tetovës jo vetëm moralisht, por edhe zyrtarisht me anë të bashkëpunimit me universitetet e veta dhe e mbështetën fuqishëm arsyen dhe nevojën e madhe të shqiptarëve në Maqedoni për një universitet të hapur në gjuhën e tyre amtare shqipe.

Nga këta shokë dhe miq të huaj desha të veçoj dy individë: përfaqësuesin e zyrës amerikane në Shkup, profesorin Viktor Komaras, i cili intervenoi te Qeveria që ta largojë policinë nga Universiteti, ku ajo ndërhynte vazhdimisht në hapësirat universitare, pengonte mësimin, i shante dhe i rrahte studentët, duke ua shkyer indeksat, librat e fletoret.

Falë SHBA-ve Universiteti i Tetovës marrëveshjen e parë për bashkëpunim ndëruniversitar e bëri me Universitetin Xhorxh Vashington të Amerikës.

Kryetarin e ASHAK, Ivan Sopek, i cili i dha përkrahje të madhe zyrtare Universitetit të Tetovës dhe ndihmoi në vendosjen e marrëdhënieve të bashkëpunimit me Universitetin e Zagrebit.

Prandaj, i nderuari z. Rektor, Vullnet Ahmeti, unë sot meritën e këtij çmimi të lartë të Universitetit të Tetovës, me të cilin Ju po më nderoni madhërisht e ndaj me mbarë popullin shqiptarë në përgjithësi dhe në veçanti me këta njerëz punëtorë e trima që i përmenda këtu dhe me ata që nuk arrita t’i përmend të gjithë, ndaj dhe u kërkoj falje. Lavdi u qoftë të gjithëve!

Universitetit të Tetovës i dëshiroj zhvillim të gjithanshëm akademik në të gjitha drejtimet e tij profesionale – shkencore, edukuese, pedagogjike dhe artistike, dhe kështu mirënjohjet dhe çmimet që do të japë ai të zënë më shumë vend dhe do të kenë më tepër kuptim.

Ju falënderoj!