Aksioni në Zubin Potok ishte për kriptovaluta, thotë Sveçla
Sveçla thotë se aksioni në Zubin Potok ishte për kriptovaluta.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka dhënë detaje për aksionin e Policisë së Kosovës në Zubin Potok.
Ai, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ka shkruar se aksioni ishte i zhvilluar në tri lokacione të dyshimta për aktivitete të jashtëligjshme të minimit të kriptovalutave.
“Sot Policia e Kosovës në mbështetje të vepritmtarisë së Doganës së Kosovës, ka zhvilluar një aksion në Komunën e Zubin Potokut me ç’rast janë kontrolluar tri lokacione/ hapësira të dyshimta për aktivitete të jashtëligjshme të minimit të kriptovalutave. Aksioni ka përfunduar pa incidente”.
“Në një nga lokacionet është vërejtur infrastruktura por mungonin pajisjet për këtë veprimtari të jashtëligjshme. Duke marrë parasysh këtë fakt, Policia e Kosovës është duke zhvilluar hetime intensive për rrjedhje të informatës zyrtare”.
“Ftoj të gjithë qytetarët tanë që të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës duke lajmëruar çfarëdo veprimtarie joligjore, të kujtdo qoftë, duke kontribuar kështu drejtpërdrejtë në sundimin e ligjit për të gjithë dhe kudo në Kosovë”,ka thënë Sveçla.