Aleanca për Shqiptarët kërkon nga Alternativa të sqarohet për “shkeljen e marrëveshjes”

Shpërndaje

Sela dhe Aleanca për Shqiptarët ndahen përfundimisht nga Gashi dhe Alternativa. Koalicioni opozitar shqiptar u prish pas takimit të sotëm të kryeministrit Zoran Zaev dhe kryetarit të Alternativës, Afrim Gashi, takim ky i tretë me radhë në përpjekje për të përfshirë Alternativën në Qeveri.

Nga kjo parti kërkojnë që Alternativa të sqarohet publikisht, pse, sipas tyre, AAA tre herë po shkel marrëveshjen e nënshkruar para një viti.

“Autonomia politike e çdo subjekti është fakt i pranuar për Aleancën për Shqiptarët, ashtu siç marrëveshjet e nënshkruara ndërmjet subjekteve qofshin këto edhe politike, nënkuptojnë heqje dorë nga një pjesë e autonomisë së saj. Marrëveshja e nënshkruar për koalicionim ndërmjet Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës, në mënyrë të qartë definon kriteret dhe afatet kohore të këtij koalicionimi, respektivisht në nenin 6 të kësaj marrëveshje thuhet që: “Palët ranë dakord që ky bashkëpunim të vlejë deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare”. Rrjedhimisht Alternativa duhet të sqarojë pozicionet e saja në lidhje me këtë marrëveshje të cilën po e shkel minimum tre herë radhazi, duke u takuar publikisht me kryeministrin në dorëheqje, Zoran Zaev, për të negocjuar mundësinë e hyrjes në Qeveri. Heshtja jonë e deritanishme asesi se sështë dobësi, por seriozitet ndaj firmës që ne kemi hedhur në marrëveshje dhe moralit politik që duam ta përcjellim në opinion, që në fund të fundit fjala e dhënë e dëshmuar me nënshkrim, për ne ka vlerë. Pritja ka të bëjë me mundësinë që duam ta japim për të reflektuar në lidhje me hapat politike që janë ndërmarrë nga ana juaj. Minimumi I korrektesës që ne presim nga ju është të deklaroheni a vlen apo jo marrëveshja e nënshkruar mes Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës? Në qoftë se jo atëherë ne s’na ngelet gjë tjetër vetëm se të ju urojmë suksese në rrugëtimin juaj, për ne të gabueshëm dhe në kundërshtim të plotë me verdiktin të shprehur me votë nga ana e qytetarëve që votuan koalicionin Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa. Shprehim keqardhje për zhgënjimin që ju bëni votuesve opozitarë të cilët na mbështetën kundër kësaj qeverie. Të njëjtëve ne ju mbetemi besnik në rrugëtimin tonë të mëtejmë duke i mbajtur dyert hapur për të gjithë ata që e kanë të shenjtë fjalën e dhënë para qytetarëve. Informojmë opinionin se në të ardhmen, Aleanca për Shqiptarët do të mendojë mirë me kë do të nënshkruajë marrëveshje për koalicionim” thuhet në reagimin e ASH-së.

Aleanca për Shqiptarët kërkon nga Alternativa të sqarohet për “shkeljen e marrëveshjes”, edhe pse partia e Ziadin Selës ishte e para që ka shkelur marrëveshjen duke përkrahur Lëvizjen BESA pa u konsultuar paraprakisht me partinë e Afrim Gashit.

Gjithashtu kujtojmë që Ziadin Sela pati drejtuar fjalë të rënda drejt deputetit të Alternativës, Zejd Rexhepi, duke e quajtur të njejtin “gënjeshtar”.

Ndryshe, konsultimet për zgjërimin e përbërjes qeveritare do të vazhdojnë deri në fund të kësaj jave.