Maqedoni

Gjykata Supreme ka miratuar vendim për “Lagjen e Trimave”

Shpërndaje

Gjykatësit e Gjykatës Supreme kanë miratuar vendim në lidhje me ankesat e palës mbrojtëse të rastit “Lagjja e Trimave – Kumanova”, por i njëjti, sipas procedurës, nuk publikohet derisa nuk shkruhet vendimi dhe nuk nënshkruhet nga anëtarët e Këshillit, njofton Portalb.mk.

“Në lidhje me kërkesën tuaj për informatë në lidhje me lëndën e njohur në opinion si “Lagjja e Trimave”, ju njoftojmë se me rastin e ankesave të deklaruara, janë formuar dy lëndë në Gjykatën Supreme të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Për dy lëndë janë miratuar vendime të cilat janë në fazën e përpunimit dhe nënshkrimit të vendimeve nga ana e të gjithë anëtarëve të këshillit, të njëjtat do të dërgohen në Gjykatën Themelore Penale Shkup, nëpërmjet Gjykatës së Apelit Shkup”, thonë nga Supremja për Portalb.mk.

Sipas Ligjit për Procedurë Penale, Supremja duhet ta përgatisë dhe publikojë vendimin në afat prej 60 ditëve.

Ndryshe, për këtë ngjarje të armatosur, në shkurt të vitit 2016-të në Gjykatën Penale të Shkupit është mbajtur procesi gjyqësor kundër 29 personave, të cilët u ngarkuan me veprën “Organizatë terroriste” dhe “Terrorizëm”. Të gjithë 29 të akuzuarit përpara gjykatës janë deklaruar se nuk ndjehen fajtorë. Rasti më vonë u bashkua me “Vetëtimën”, në të cilin ishte zhvilluar procedurë kundër 8 personave për ndihmë të grupit të armatosur, me [ka grupi i të akuzuarve u rrit në gjithsej 37. Prej tyre, 33 u dënuan për veprat, ndërkaq 4 persona u liruan.

Gjykata Penale i dënoi 7 përfaqësues të grupit me burgim të përjetshëm, ndërkaq 13 të tjerë me nga 40 vjet burg. Me dënim prej 20 vjet burg janë dënuar 5 persona, 1 i akuzuar me 12, ndërkaq nga 2 u dënuan me nga 14, 13 dhe 12 vjet burg. Në total, të akuzuarit u dënuan me 746 vjet burg dhe 7 burgime të përjetshme.

Aktgjykimin më vonë e konfirmoi Gjykata e Apelit, ndërkaq tani është në duart e Supremes, e cila është gjykata më e lartë në vend.

Supremja ka mundësi që ta rikthejë rastin në rigjykim apo të kërkojë rishqyrtim të rastit, ndërkaq në rast se e konfirmon aktgjykimin, për të akuzuarin “mbyllen dyert” për kërkim të drejtësisë brenda Maqedonisë së Veriut, gjegjësisht ata më pas mund të ankohen vetëm në Gjykatën Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut në Strasburg.