Humbi në zgjedhje, Quni jep dorëheqje nga posti i kryetarit të LDK-së në Prizren
Anton Quni ka dhënë dorëheqje nga detyra e kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovë – Dega në Prizren.
Quni ka thënë se dorëheqje po jep pasi nuk ka marrë rezultatet e duhura në zgjedhjet lokale.
Postimi i Anton Qunit:
“Të dashur qytetarë, Unë, sot kam dhënë dorëheqje nga detyra e kryetarit të LDK-së – Dega në Prizren. Këtë vendim e mora si përgjegjësi morale e imja për mosarritjen e rezultatit të duhur në zgjedhjet lokale. Përkundër ngritjes së numrit të votave, në krahasim me zgjedhjet nacionale 2021, dhe rritjes se numrit të kuvendarëve, ishte e pamjaftueshme që të jemi në raundin e dytë për të parin e komunës”, ka pohuar ai.
Mes tjerash, ai ka njoftuar se autorizimet e tij i ka bartur tek Hatim Baxhaku.
“Nga sot, me pajtimin e Kryesisë së Degës, autorizimet e mia i kam bartur tek Nënkryetari Dr. Hatim Baxhaku i cili, ditëve në vijim do ti bashkëkoordinoi veprimet e aktivitetet me Kryetarin LDK-së, z. Lumir Abdixhiku. Unë vazhdoj të mbetem dhe të angazhohem si anëtar i Kryesisë së Degës, Nënkryetar i LDK-së në qendër dhe deputet i GP të LDK-së”, thotë ai.
Tutje, ai ka pohuar se për të ka qenë privilegj të ishte kryetar i degës.
“Të qenit kryetar i degës ishte privilegj dhe përvojë e mirë, por jam i bindur se me dorëheqjen time po mundësohet një riorganizim më i mirë i LDK-së në Prizren, nëndegëve dhe forumeve, me të cilin do të krijohen parakushtet për afirmimin e të rinjve te Prizrenit, ruajtjen e bërthamës por edhe hapjen e dyerve për më shumë njerëz e kuadro që do ta forcojnë LDK-në dhe do ta bëjnë konkurente serioze për ciklin e ri zgjedhor.
Faleminderit të gjithë votuesve dhe bashkëpunëtorëve që në çdo situatë më qëndruan afër. Ju jam mirënjohës dhe vazhdojmë me punë të mira për vendin e për LDK-në”, shkruan Quni në reagimin e bërë në Facebook.
Ndryshe, Anton Quni ishte kandidat i LDK-së për kryetar të Prizrenit. Ai ishte radhitur i treti në garë.