Kryeministri i ri i Bullgarisë jep lajmin e mirë për Maqedoninë e Veriut: Do ti japim fund pengimit për anëtarësimin në BE

Shpërndaje

Kryeministri i ri i Bullgarisë, Kiril Petkov, ka thënë se Sofja do t’i japë fund pengimit të përpjekjes së Maqedonisë së Veriut për anëtarësimin në BE. Ky vendim do të merret sapo ai dhe qeveria e tij të marrin detyrën.

Përmes këtij vendimi të kryeministrit Shqipëria ka një mundësi më shumë për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, pasi deri tani ka qenë e bllokuar nga vetoj bullgare për Shkupin.

Kiril Petkov, i cili u konfirmua si kryeministër nga parlamenti i vendit të hënën pasi partia e tij mori pjesën më të madhe të votave në zgjedhjet e nëntorit, bëri zotimin teksa riafirmoi angazhimin e Bullgarisë ndaj NATO-s dhe perëndimit. “Ne jemi në anën e duhur të politikave të NATO-s dhe BE-së, 100 për qind”, tha ai për Financial Times.

“Ne do të propozojmë një proces të ri [për Maqedoninë e Veriut], shumë të shpejtë, me një afat kohor të kufizuar, vetëm gjashtë muaj” tha ai. Ai tha se kompromisi ishte i mundur. “Sapo vendosim të mirat në tryezë… diskutimet për kompromise janë shumë më të lehta”, tha ai.

Ndër të tjera ai tha se qeveria e tij do t’i vendosë bisedimet me Maqedoninë e Veriut në një bazë të re.

“Ne do të përdorim grupet e punës për të gjetur zgjidhje për çështje të tilla si aktiviteti i përbashkët ekonomik, infrastruktura, kultura dhe historia” tha ai , duke shtuar se një klimë pozitive do të hapte rrugën për perspektivën evropiane të Shkupit.

Kthesa vjen pasi Bullgaria vuri veton vitin e kaluar ndaj bisedimeve të pranimit të fqinjit të saj në BE mes mosmarrëveshjeve mbi historinë dhe identitetin.

Kritikët në atë kohë akuzuan ish-udhëheqësin e qendrës së djathtë të Bullgarisë, Bojko Borisov, se iu drejtua nacionalizmit për të shkëputur vëmendjen nga protestat e muajve të tërë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.