RajoniTop Lajme

Kurti i drejtohet Haradinajt: Ktheni 200 hektarë dhe po t’i japim 70 mijë euro

Shpërndaje

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i është kundërpërgjigjur kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, lidhur me çështjen e ligjit të pagave.

Kurti ka thënë se janë vonuar me këtë ligj për shkak të ligjeve të më hershme që janë bërë “shkel e shko” nga qeveritë e kaluara, transmeton Telegrafi.

“Është e qartë se ata që po na kritikojnë në thelb e duan atë ligjin e vjetër të shfuqizuar. Pra ju po doni të nxitohemi rishtazi për një ligj të vjetër. Po e ritheksoj jemi vonuar sepse jeni nxituar, po të mos nguteshit ju, nuk do të ndodheshim në këtë gjendje. Pikërisht duke i bërë ligjet shkel e shko na keni lënë pa ligj, kutia juaj na ka sjellë në këtë situatë”, tha ai.

Kurti tutje shtoi se “ne e trajtojmë rëndësinë dhe me urgjencë përgatitem për të, jo sjelljet shkel e shko”.

“Qytetarët kanë shpresa të mëdha tek ne, dhe kjo është përgjegjësia jonë”, u shpreh Kurti.

Kryeministri në fjalimin e tij i bëri propozim Haradinajt që të kthej 200 hektarë tokë që kishte blerë dhe se do t’ia japin 70 mijë euro.

“Është diçka interesante që po ndodhë në Kuvend. Pronarët e mëdhenj kanë hall pagat e zjarrfikësve. Pronarët e mëdhenj të qindra hektarëve thonë me ja rritë nja 5% zjarrfikësve. Si ta besojmë këtë situatë?! Këta nuk janë as të sinqertë as serioz. Konkretisht: meqë mu dha propozimi t’i qoj ministrat te KEK-u që të mërdhihen, unë e kam një kundër propozim: deputeti Haradinaj le t’i kthen ata 200 hektarë dhe ne po ja japim 70 mijë euro. Le t’ia kthen shtetit 200 hektarë edhe ne po ja japim 70 mijë euro”, shtoi Kurti.

Në anën tjetër, Haradinaj ka thënë se ka riblerë tokën që ishte pronë e familjes së tij.

“Kurti po fshihet prej pazotësisë dhe po thotë se kam blerë 200 hektarë tokë. Po, i kam blerë me ligje të Kosovës, e kam shfrytëzuar të drejtën ligjore. E kam riblerë tokën e babait tim dhe katundit tim, e cila ndodhet në Gllogjan”.