DASH i përgjigjet Sali Berishës: Akuzat ndaj ambasadores Yuri Kim janë të pajustifikuara

Shpërndaje

Departamenti Amerikan i Shtetit i cilësoi si të pajustifikuara akuzat e ish-kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha ndaj ambasadores në Tiranë, Yuri Kim.

Berisha deklaroi se Kim po sillet si guvernatore në Shqipëri dhe se mbështet kryeministrin Edi Rama, ndërsa zëdhënësi i DASH, Ned Price hodhi poshtë akuzat.

“Uashingtoni është i shqetësuar nga sulmet e pajustifikuara ndaj ambasadores tonë në Tiranë. Këto sulme të shëmtuara nuk përfaqësojnë popullin shqiptar,” – u shpreh Price për Zërin e Amerikës.

Sipas tij Kim ka zbatuar me rigorozitet udhëzimet e SHBA-së për të vënë para përgjegjësisë të gjithë personat e përfshirë në korrupsion apo ata që minojnë demokracinë.

Zëdhënësi shtoi se vitin tjetër do të festohet 100-vjetori i vendosjes së marrëdhënieve mes dy vendeve, teksa nënvizoi vlerësimin e Shteteve të Bashkuara për raportet me Shqipërinë.