Lista e personave që propozohen për falje – Flet Mariçiq pasi e tërhoqi atë

Shpërndaje

Pas presionit të madh të opinionit, ministri i Drejtësisë, Bojan Mariçiq tërhoqi propozimi për faljen e 48 personave të dënuar, në mesin e të cilëve janë edhe Sead Koçan, Boban Iliq dhe Aleksander Vasilevski- Ninxha. Mariçiq thotë se roli i dikasterit të tij është vetëm përcjellës deri tek Komisioni për falje dhe se nuk ka të drejtë ligjore të ndërhyjë në listën e cila buron nga burgjet, shkruan Alsat.

Por si u gjet nënshkrimi i tij në kërkesën për faljen e 48 personave dhe pse u desh që si fillim të reagojë opinioni dhe pastaj të kthehet kërkesa mbrapa?

Mariçiq nuk ka përgjigje konkrete, por thotë se dikasteri i tij nuk ka të drejtë të ndërhyjë në këtë fazë.

“Kjo listë e cila ka dalë në opinion është jo formale dhe duhet shqyrtuar nga fillimi. Pas shqyrtimit nga Komisioni për falje, lista shkon tek presidenti dhe ai sjell vendimin përfundimtare. Ne si ministri në faljet grupore kemi rolin e përcjellësve të kërkesave të burgjeve dhe mund të japim mendime gjatë konsultimeve me kreun e shtetit. Nuk kemi të drejtë as ta ndryshojmë listë, por vetëm ta kthejmë mbrapa dhe atë e bëmë sot”, thotë Bojan Mariçiq, Ministër i Drejtësisë.

I pyetur se a do ta kishte falur Boban Iliqin, Sead Koçanin dhe Aleksander Vasilevskin në rast se Mariçiq do të ishte president, i pari i drejtësisë me përgjigje:

“Kjo është pyetje hipotetike, por fakti që inicioj kthimin dhe shqyrtimin e listës për këto emra, kuptohet se nuk do ta bëja një gjë të tillë”, u shpreh Mariçiq.

Si u bë që kërkesa kaloi nëpër dikaster larg syve të njeriut të dytë në Ministrinë e Drejtësisë. Agim Nuhiu thotë se në momentin që është njoftuar ka kërkuar tërheqjen e kërkesës.

“Në momentin kur unë kam kuptuar kam reaguar institucionalisht dhe vlerësoj edhe reflektimin e Mariçiq për tërheqjen e propozimit për falje. Vlerësuam se të gjithë personat të cilët kanë kryer vepra penale, kanë shqetësuar qytetarët dhe kanë lëkundur themelet e shtetit asnjëherë nuk duhet të jenë në listat për falje grupore”, tha Agim Nuhiu, Zëvendësministër i Drejtësisë.

Në listën e propozuar për falje në prag të festave të fund-vitit janë 48 persona. Për 45 prej tyre kërkohet falje e pjesshme, ndërsa 3 falje totale. Ndonëse Ligji për falje thekson se personat e dënuar për trafikim droge, terrorizëm, vrasje, përdhunim dhe manipulim të procesit zgjedhor nuk mund të falen, në procesverbalin e siguruar nga Alsat kërkohet falja e personave edhe për këto vepra, siç është rasti i Aleksander Vasilevskit (Ninxha) i dënuar për cenim terrorist të rendit kushtetues më 27 prill të vitit 2017 në Kuvend.

Propozimi për falje është adresuar në Presidencë më datën 10 dhjetor kur edhe është arkivuar. Sipas Ligjit për falje, kërkesa për falje grupore buron nga burgjet, dikasteri i Drejtësisë përcjell kërkesën tek Komisioni për falje në kuadër të presidentit, ndërsa trupi për falje shqyrton kushtet në aspektin juridik, moral dhe shoqëror. Vendimi për falje i takon ekskluzivisht presidentit të shtetit./ Alsat.mk