Mbrojtja e Thaçit përplaset keq me Prokurorinë në Hagë: Po frymëzoheni nga rusët
Mbrojtja e ish-presidentit Thaçi thotë se Prokuroria Speciale e Hagës po argumenton me stereotipe antishqiptare dhe të motivuara politikisht për mbajtjen e tij në paraburgim. Sipas avokatit të Thaçit, ZPS-ja po tenton ta paraqesë Kosovën si shtet të dështuar dhe Policinë e saj si organizatë kriminale. Në përgjigjen e dytë që avokati i ish-presidentit Thaçi ia ka dorëzuar Gjykatës, si përgjigje ndaj prokurorisë, ka kërkuar të thirret seancë ku do të adresohen pikëpamjet e policisë së Kosovës “mbi realizueshmërinë e lirimit të Thaçit në arrest shtëpiak, dhe pikëpamjet e qeverive të shteteve që ofruan garanci për lirimin e Thaçit në territoret e tyre përkatëse”.
Gregory Kehoe, avokat i ish-presidentit Hashim Thaçi ka parashtruar në Gjykatën Speciale përgjigjen e tij ndaj Prokurorisë së Specializuar, e cila konsideroi se Policia e Kosovës s’do të mund të garantonte sigurinë e nevojshme për lirimin e tij nga paraburgimi.
Avokati shkruan se rreziqet që i ka përmendur Prokuroria ekzistonin edhe për të akuzuarit që gjykoheshin në Tribunalin Ndërkombëtar për Krime Lufte në ish-Jugosllavi, të themeluar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB). Ai thotë se Zyra e Prokurorit të Specializuar gjithmonë ka çfarë të thotë për ta arsyetuar politikën e Gjykatës Speciale për moslirimin e Thaçit.
“Në rastin e z. Thaçi, këto arsyetime përfshijnë “rrezikun” që ai “mund” të arratisej, edhe pse u dorëzua vullnetarisht dhe nuk ka shfaqur kurrë ndonjë synim për arratisje; “rrezikun” që ai “mund” t’i pengojë procedurat dhe të ndërhyjë në dëshmitarët dhe “rrezikun” që ai do të kryejë krime të ngjashme… Këto “rreziqe” teorike ekzistonin për çdo të akuzuar në Tribunalin Ndërkombëtar të Hagës, por megjithatë u dha lirimi i përkohshëm. Kështu nuk ndodh në Dhomat e Specializuara”, thuhet në parashtresën e avokatit.
Kehoe shkruan se Thaçi nuk ka treguar se paraqet ndonjë rrezik më të madh në rast të lirimit të përkohshëm sesa të burgosurit e shumtë që gjykoheshin nga Tribunali i Hagës, raporton Express.
“Kur zoti Thaçi ofron garanci nga shtetet e treta, ofrohen më shumë justifikime dhe ato garanci janë shpërfillen”, shkruan avokati.
Sipas tij, Gjykata Speciale, për dallim nga Tribunali Ndërkombëtar i Hagës, ka standarde dhe kritere më të ashpra ndaj shqiptarëve të Kosovës.
“Dallimi i vetëm midis të burgosurve të liruar përkohësisht nga Tribunali Ndërkombëtar i Hagës (përfshirë të paraburgosurit shqiptarë) dhe z. Thaçi është kërkesa e Dhomave të Specializuara me standarde dhe kritere më të ashpra ndaj të akuzuarve shqiptarë të Kosovës”, thuhet në parashtresën e Gregory Kehoe.
Ai përmend disa raste kur Tribunali i atëhershëm i Hagës i kishte liruar përkohësisht edhe shumë serbë në Serbi, me gjithë shkeljet masive të të drejtave të njeriut që kishin bërë ata.
“Tribunali i Hagës gjithashtu u dha lirim të përkohshëm shumë serbëve në Serbi, edhe pse shkeljet masive të të drejtave të njeriut të kryera nga forcat e sigurisë së këtij shteti – shkelje të shkallës shumë më të madhe se ato që i ngarkohen UÇK-së apo të akuzuarve në rastin aktual. Në ato raste, Tribunali i Hagës respektoi garancitë e dhëna nga Serbia megjithë mizoritë e kryera nga qeveria e saj ndaj shqiptarëve. Sigurisht, këto garanci shtetërore dhe kushtet e lirimit dhe kthimit ishin respektuar në mënyrë rutinore”, thuhet në këtë dokument.
Ai thekson se Zyra e Prokurorit të Specializuar po argumenton me stereotipe antishqiptare, duke sulmuar besueshmërinë në Policinë e Kosovës, pa prova. Sipas Kehoe, ZPS-ja, kësisoj tenton ta paraqesë Kosovën si shtet të dështuar.
“ZPS tani sulmon besueshmërinë e vetë Policisë së Kosovës (“PK”), jo me prova por me nënkuptime. Këto sulme ndaj besueshmërisë së PK-së luajnë me stereotipet se Kosova është e shtet i dështuar dhe njerëzit e saj si të prirur ndaj korrupsionit”, shkruan avokati.
Arsyetimet se pse sipas ZPS-së Thaçi dhe të tjerët duhet të mbahen në paraburgim, sipas Mbrojtjes së ish-presidentit bazohen në deformime dhe gjysmë të vërteta. Sipas tij, për këtë ZPS-ja frymësohet nga propaganda ruse dhe kundërshtarët politikë të Thaçit.
“Arsyetimet e ZPS-së për ndalimin e vazhdueshëm të z. Thaçi bazohen në deformime dhe gjysmë të vërteta të frymëzuara nga propaganda ruse, kundërshtarët politikë të z. Thaçi dhe artikuj mediatik jo të besueshëm”, thuhet në dokument, ku shtohet se “ZPS në mënyrë efektive nënkupton që z. Thaçi, në cilësinë e tij si kryeministër dhe president, e udhëhoqi Kosovën si shtet kriminal”.
Gregory Kehoe, avokat i ish-presidentit Hashim Thaçi
Sipas avokatit Kehoe, ZPS-ja kërkon ta paraqesë Policinë e Kosovës si organizatë kriminale.
Ai përmend edhe fotografinë e ish-presidentit Thaçi me ish-drejtorin e Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, si arsyetim që ZPS-ja e ka përdorur për të kërkuar mbajtjen e tij në paraburgim.
“ZPS nuk ofron asnjë provë për asnjë sjellje e papërshtatshme [REDAKTUAR]. Ajo mbështetet në një fotografi të z. Thaçi [RIDAKTUAR] [RIDAKTUAR]. Realisht kjo foto vjen nga profili zyrtar në Facebook i Ministrit të atëhershëm të Drejtësisë në Kosovë, Abelard Tahiri, më datë 29 shtator 2018. Në të është paraqitur z. Thaçi duke zhvilluar një takim në terren me shefin e atëhershëm të PK-së, Rashit Qalaj, pastaj drejtorin e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Shpend Maxhuni, e më pas me Ministrin e Financave, Bedri Hamza, pas vizitës zyrtare në pikën kufitare Kosovë-Serbi në Bërnjak dhe liqenin e Ujmanit. ZPS fsheh tekst nga postimi i z. Tahiri”, thuhet në përgjigjen e avokatit të Thaçit.
Arsyetimet e Prokurorisë, për avokatin e Thaçit janë të motivuara politikisht nga Rusia që e portretizon Kosovën dhe policinë e saj si kriminale.
“Sulmi i saj (ZPS-së) ndaj profesionalizmit dhe integritetit të PK-së është i pakuptueshëm, veçanërisht në dritën e bashkëpunimit të saj të rregullt me PK-në, si p.sh. për arrestimin e z. Thaçi dhe të akuzuarve të tjerë. Në të vërtetë, të dhënat tregojnë se deri më sot, bashkëpunimi i Policisë së Kosovës me Zyrën e Prokurorit të Specializuar dhe Dhomat e Specializuara PK-ja ka qenë shembullor”, thuhet në dokument.
Parashtresat e ZPS-së që argumentojnë kundër aftësisë së Policisë së Kosovës për të siguruar lirimin me kusht të Thaçit, sipas avokatit të ish-presidentit minohen nga lavdërimet që PK-ja tha se i ka marrë nga Qeveria e SHBA-së, konkretisht ambasadori Philip Kosnett, OSBE-ja e Bashkimi Evropian.
Si përfundim, Mbrojtja e Thaçit kërkon që të thirret një seancë dëgjimore për t’i adresuar pikëpamjet e Policisë mbi realizueshmërinë e lirimit të Thaçit në arrest shtëpiak, pikëpamjet e qeverive të shteteve që ofruan garanci për lirimin e Thaçit në territoret e tyre përkatëse. Krejt në fund, kërkohet që Gjykata “të urdhërojë lirimin e përkohshëm të z. Thaçi në kushtet e tilla të konsideruara të përshtatshme.”
Katër ish-udhëheqësit politikë e ushtarakë të UÇK-së, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kreyparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Rexhep Selimi, u arrestuan dhe u dërguan në paraburgimin e Gjykatës Speciale më 4 dhe 5 nëntor të vitit të kaluar.
Më 4 nëntor, ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi u arrestua dhe u dërgua për në paraburgimin e Speciales. Për në të njëjtin destinacion, me një avion ushtarak, të nesërmen u nisën edhe ish-bashkëpunëtorët e tij në luftë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi.
Arrestimet erdhën pasi një gjyqtar i procedurës paraprake i Gjykatës Speciale konfirmoi aktakuzat ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së. Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Aktakuza i bën përgjegjës Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin për një sërë krimesh që pretendohet se janë kryer në disa qendra ndalimi gjatë viteve 1998-1999. Prokuroria e Specializuar i akuzon ata se kanë qenë ose duhej të ishin në dijeni të këtyre krimeve.