Mijallkov lirohet nga paraburgimi, Gjykata e Apelit pranoi garancinë mbi 11 milionë euro

Shpërndaje

Gjykata e Apelit në Shkup e ka pranuar garancinë prej 11.106.501 euro me të cilën ish-drejtori i DSK-së, Sasho Mijallkov do të lirohet nga paraburgimi, transmeton TV21.

Nga Gjykata e Apelit për MIA kanë konfirmuar se Sasho Mijallkov do të lirohet nga paraburgimi pasi që të jetë dorëzuar garancia financiare, me çka masa e paraburgimit do të zëvendësohet me masën e sigurisë, përkatësisht konfiskimin e pasaportës dhe detyrim paraqitjeje në Gjykatë.

Garancioni prej 11 milion euro përbëhet edhe nga pronë e luajtshme dhe e paluajtshme, ndërsa Mijallkovi duhet të dalë nga paraburgimi kur të përfundojnë procedurat administrative me vendosjen nën hipotekë të pronës që është ofruar si garanci se nuk do të ikë.

Kujtojmë se ish shefi i DSK-së, Sasho Mijallkov po vuan masën e paraburgimit në rastin “Thesari” ku është dënuar me vendim jofuqiplotë me tetë vite burg.

Ai ka edhe aktgjykim të shkallës së parë edhe në rastin “Target-Fortesa” me të cilën është dënuar me 12 vite burg, ndërsa i akuzuar është edhe në rastet “Parcelat në Vodno” dhe “Titanik 2”, ndërkaq i akuzuar është dhe në lëndën “Perandoria”. Në rastin “Tortura” ka marrë aktvendim të lirë.

Sasho Mijallkov po ndodhet në burgun e Shutkës që nga 26 shkurti i këtij viti, prej se paraprakisht disa ditë ishte në arrest shtëpiak.