Parlamenti i Gjermanisë miraton vaksinimin e pjesshëm me detyrim kundër koronavirusit

Shpërndaje

Pas parlamentit federal, Bundestagut, edhe Bundesrati, Dhoma e landeve, e miratoi ndryshimin në ligjin për mbrojtjen nga infektimet. Vendimi i Dhomës së landeve u mor unanimisht. Prandaj ndryshimet mund të hyjnë në fuqi së shpejti.

Pak orë më parë, Bundestagu kishte miratuar me shumicë të madhe modifikimin e ligjit për mbrojtjen nga infektimet. 571 deputetë votuan pro ligjit të koalicionit qeveritar (SPD, FDP dhe të Gjelbrit). Tetëdhjetë deputetë votuan kundër dhe 38 abstenuan.

Të drejtë të vaksinojnë do të kenë edhe dentistët

Ligji parashikon gjithashtu për herë të parë vaksinimin me detyrim kundër virusit korona për grupe të caktuara. Konkretisht, kjo përfshin kthimin e vaksinimit në të detyrueshëm nga mesi i marsit 2022, për punonjësit e institucioneve në të cilat trajtohen ose mbështeten persona veçanërisht të cënueshëm ndaj Covid-19. Vaksinimi me detyrim do të zbatohet, për shembull, për shtëpitë e të moshuarve dhe spitalet, institucionet për personat me aftësi të kufizuara, klinikat ditore, zyrat e mjekëve, shërbimet e urgjencës dhe qendrat sociale-edukative.

Me ligjin e ri, landet federale mund të urdhërojnë gjithashtu mbylljen e klubeve dhe diskotekave, por edhe të restoranteve. Për të përshpejtuar bërjen e vaksinave, në të ardhmen do të lejohen përkohësisht të bëjnë vaksina kundër koronavirusit dentistët, veterinerët dhe farmacistët.

Lauterbach dëshiron të luftojë për”Krishtlindje më të sigurta”.

Ministri Federal i Shëndetësisë, Karl Lauterbach tha në Bundestagu se lufta kundër pandemisë së koronavirusit ishte qëllimi kryesor i qeverisë së re federale. Koalicioni ka shumë synime para vetes. “Objektivi parësor për ne është mbrojtja e popullatës në krizën shëndetësore”, tha politikani i SPD për ndryshimin e ligjit për mbrojtjen nga infektimet. “Ne do të bëjmë gjithçka për t’i dhënë fund kësaj krize sa më shpejt.” Me korrigjimin e Ligjit për Mbrojtjen nga Infektimet, është krijuar instrumenti për të thyer valën Delta të pandemisë dhe për të parandaluar sa më shumë që të jetë e mundur valën e Omicron-it, tha Lauterbach-u.

Ligjin e ri për mbrojtjen nga infektimet ai e sheh edhe si një mënyrë për të siguruar sezonin e festave. “Duhet të sigurohemi që të paktën festa e Krishtlindjeve dhe udhëtimet për të vizituar të dashurit jo vetëm të zhvillohen, por të jenë të sigurta”, tha politikani i SPD në fjalimin e tij të parë si ministër i ri i Shëndetësisë. Kur masat mbrojtëse ndiqen dhe kontrollohen vazhdimisht, kjo është e mundur.

Lauterbach-u i bëri thirrje opozitës që të punojnë së bashku. “Kjo pandemi është një detyrë për të gjithë ne”, theksoi ai. Ajo nuk përshtatet për grindje politike mes partive. “Unë e di që do t’ia dalim mbanë,” tha ai. “Nuk kemi kohë për të humbur”.

Eurodeputetja e të Gjelbërve, Maria Klein-Schmeink e quajti ligjin “një element shtesë për mbrojtje më të mirë kundër koronës”. Sipas saj, nuk duhet të ndodhë më që banorët e shtëpive të të moshuarve të infektohen, sepse stafi që punon aty nuk është i vaksinuar. Sipas ekspertes së shëndetit të FDP, Christine Aschenberg-Dugnus, ligji i ri ofron shumë mundësi për të luftuar në mënyrë efektive pandeminë. Vaksinimi dhe freskimi i vaksinimit janë faktorët vendimtarë në frenimin e Covid-19.

CDU kritikon ndryshimet e vazhdueshme

Për ligjin votuan edhe CDU/CSU, por kritikuan qasjen e koalicionit të ri qeveritar. “Ligji aktual i riparimit” do të ndiqet nga të tjerë, tha gjatë debatit deputeti i CDU-së Erwin Rüddel. Ndryshimet e vazhdueshme në një situatë tashmë dramatike vetëm sa rrisin pasigurinë e popullatës.

Kritika të forta janë shprehur nga AfD. “Besimi i qytetarëve në politikë është tronditur thellë”, tha kryetari i partisë, Timo Chrupalla. “Ajo që kemi parë këtu në Gjermani gjatë dy viteve të fundit janë deklarata të liderëve politikë që ndryshojnë vazhdimisht. Dhe deklarata se nuk do të ketë vaksinim të detyrueshëm është kthyer në të kundërtën e saj nga koalicioni” tripartiak, tha ai. Është një shkelje e fjalës së dhënë – sidomos nga ana e FDP-së./DW