Përfundoi takimi Zaev-Ahmeti, nuk bëhet e ditur për çfarë kanë biseduar

Shpërndaje

Në Qeveri ka përfunduar takimi i kryeministrit në largim Zoran Zaev dhe kryetarit të Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti. Në takim, përveç Zaevit dhe Ahmetit, morën pjesë edhe kryetari i ri i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski, zëvendëskryeministri Ljupço Nikolovski, ish-sekretari organizativ i LSDM-së Mile Zeçeviq, si dhe zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi.

Pas takimit nuk ka pasur deklarata për media, ndërsa nga Qeveria kanë bërë të ditur se do të dërgojnë një deklaratë për atë që është biseduar mes Zaevit dhe Ahmetit. Para këtij takimi, Ahmeti është takuar edhe me liderin e opozitës, Hristijan Mickoski.

Kryetari i VMRO-DPMNE tha se kanë diskutuar për mosmarrëveshjen me Bullgarinë, si dhe për mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. “Shpreha shqetësimin se sa më shumë i braktisim qëndrimet tona negociatore aq më të mëdha janë kërkesat nga Bullgaria dhe kështu shkatërrohet pozita negociatore e vendit”, tha Mickoski pas takimit me Ahmetin.