Shqipëria i jep Kosovës 7680 MWh energji për festat e fundvitit

Shpërndaje

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë e Shqipërisë, Balinda Balluku, ka bërë të ditur se prej datën 31 dhjetor e 1 janar, Shqipëria do t’i japë Kosovës 7680 MWh energji elektrike, e cila do t’i kthehet shteti shqiptar gjatë muajve të verës.

Ballaku përmes një videomesazhi ka treguar se pas porosisë së kryeministrit Rama janë angazhuar të gjithë burimet njerëzore në ministrinë që drejton, së bashku me specialistët e KESH për të gjetur një zgjidhje dhe për të furnizuar Kosovën në këto ditë të festave.

”Pas një dakordësie që kemi pasur me drejtuesit e KEK-ut kemi arritur që të sigurojmë 3600 MWh për datën 31 dhjetor dhe 4080MWh për datën 1 janar. Në total 7680 MWh të cilat do të jepen në formën e depozitimit, pra pa asnjë efekt financiar për Republikën e Kosovës duke kërkuar që t’i rikthehen Republikë së Shqipërisë gjatë sezonit veror kur kushtet tona hidrike fillojnë e bëhen të vështira. Pra, kjo depozitë që do të dorëzohet brenda këtij muaji në Republikën e Kosovës do të kërkojmë të na rikthehet gjatë stinës së verës, nga muaji qershor deri në shtator”, ka thënë Balluku.

Ballaku ka shtuar tutje se ka qenë në kontakt edhe me ministrin e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e cila gjatë gjithë ditës ka qenë në seancë parlamentare duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve në lidhje me situatën me energjinë.

”Është kënaqësi për ne dhe është detyrë mbi të gjitha që t’i ofrojmë vëllezërve tanë në Kosovë mundësinë për të pasur në mënyrë të pandërprerë shërbim energjetik gjatë dy ditëve të rëndësishme te Vitit të Ri për shqiptarët që është data 31 dhe 1 janar. Me porosi të veçantë nga kryeministri, kjo detyrë është marrë shumë serizoisht nga ne dhe ne angazhohemi që përveç ndihmës që t’i japim Kosovës do të ofrojmë shërbim pandërprerë në çdo skaj të Shqipërisë”, ka shtuar në fund Balluku.