BotaTop Lajme

Danimarka deklaron fundin e pandemisë, heq të gjitha kufizimet

Shpërndaje

Danimarka do të eliminojë kufizimet e vendosura duke ju rikthyer lirisë së para pandemisë.

Sipas qeverisë daneze, arsyet e heqjes së kufizimeve janë rreziku më i ulët i variantit Omicron dhe numri i lartë të personave të imunizuar.

Maskat nuk do të përdoren më në ambiente të mbyllura dhe kufizimet në restorante, jetë kulturore dhe sociale do të zhduken dhe do të rihapen diskotekat.

“Ne jemi këtu me lajme të mira. Është koha për ta lënë pas pandeminë dhe për të ecur përpara. Kjo shënon kalimin në një epokë të re për të gjithë ne sepse Danimarka do të jetë përsëri një shoqëri e hapur. Ne jemi gati t’u themi lamtumirë kufizimeve dhe të mirëpresim jetën që kishim më parë. E kemi kaluar fazën kritike. Mund të duket e çuditshme dhe paradoksale që ne eliminojmë kufizimet me nivelet aktuale të infektimit, por duhet të shohim më shumë shifrat, një nga më të rëndësishmet është ajo e pacientëve të sëmurë rëndë dhe ajo kurbë është thyer”, tha kryeministrja Mette Frederiksen.

Kryeministrja foli për dy faza: në të parën, deri në pranverë, do të mbahen rekomandimet për mbrojtjen e grupeve të rrezikut, si përdorimi i maskave në shtëpitë e të moshuarve, si dhe detyrimi për t’iu nënshtruar testeve për ata që udhëtojnë në Danimarkë dhe nuk janë të vaksinuar; Faza e dytë, deri në vjeshtë, do të jetë mbikëqyrja dhe përgatitja për dimrin e ardhshëm, në të cilin është “shumë e mundur” që një pjesë e popullsisë apo edhe e gjithë popullata të duhet të vaksinohet përsëri.