Gjykata rrëzon kërkesën për arrestimin e Poroshenkos
Një gjykatë në Ukrainë ka hedhur poshtë kërkesën e Prokurorisë për arrestimin e ish-presidentit Petro Poroshenko, i cili po akuzohet për tradhti.
Poroshenko ka thënë se akuzat ndaj tij janë të motivuara politikisht. Më 19 janar, ai u paraqit para Gjykatës së Qarkut Pechersk të Kievit, teksa mijëra mbështetës së tij protestuan jashtë gjykatës.
Gjykatësi tha se Poroshenko nuk ka nevojë që të ndalohet nga autoritetet edhe pse ai duhet të paraqitet para prokurorëve dhe hetuesve kurdo që ata do të kërkojnë një gjë të tillë. Gjykatësi po ashtu e urdhëroi Poroshenkon që të qëndrojë në Kiev dhe t’ia dorëzojë pasaportën e tij autoriteteve.
Poroshenko njoftoi se do ta apelojë vendimin, pasi tha se “pengon” aktivitetin e tij politik.
“Kjo ende nuk është një fitore, por është hapi i parë në drejtimin e duhur”, tha ai.
Pas seancës dëgjimore, Poroshenko iu bashkua mbështetësve të tij që gjendeshin para gjykatës dhe më pas së protestuesit marshuan drejt zyrës së presidentit.
Prokuroria kërkoi që të caktohej 37 milionë euro vlera e lirimit me kusht, me qëllim që Poroshenko të mund të mbrohej në liri.
Rasti ndaj Poroshenkos ka rritur shqetësimet ndërkombëtare, teksa Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, gjatë vizitës në Kiev u bëri thirrje ukrainasve që “të qëndrojnë së bashku” teksa shteti “po përballet me një agresion të mundshëm të ri të Rusisë”.
“Mendoj se një prej qëllimeve afatgjata të Moskës ka qenë që të tentojë të krijojë ndasi në mes shtete, por edhe brenda shteteve dhe thjesht ne nuk do t’i lejojmë që ata të bëjnë një gjë të tillë”, tha Blinken gjatë takimit me presidentin ukrainas, Volodymyr Zenenskiy.
Akuzat ndaj Poroshenkon lidhen me pretendimet se kur ishte president, në periudhën 2014-2015 ka ndihmuar separatistët e mbështetur nga Rusia në lindje të Ukrainës, që të shesin qymyr.
Nëse shpallet fajtor ai mund të përballet deri me 15 vjet burgim./REL