Grubi: Ndryshimet Kodit zgjedhor dhe të Kushtetutës të vihen në tryezën e partive politike dhe jo në media

Shpërndaje

Ndryshimet e Kodit Zgjedhor dhe ndryshimet e Kushtetutës duhet të bëhen me konsensus dhe këto propozime të vihen në tryezën e partive politike dhe jo në media nëse dëshirojmë të jenë të suksesshme, theksoi zëvendësi i kryetarit të Qeverisë dhe ministër i Sistemit Politik dhe Marrëdhënieve midis Bashkësive, Artan Grubi duke e komentuar kërkesën e opozitës për zvogëlimin e numrit të deputetëve dhe për një njesi zgjedhore.

“Më gëzon fakti që opozita ose partia më e madhe opozitare është e gatshme për hapjen e Kushtetutës, në këtë rast kemi ne edhe tema të tjera të cilat duhet të përfshihen në këto ndryshime kushtetuese, siç është kontesti me Bullgarinë ose përfshirja e komunitetit bullgar, kroat, malazez dhe heqja e kufizimit prej 20 për qind për përdorimin e gjuhës shqipe. Jemi të hapur që këtë ide ta pasurojmë me ide të tjera shtesë për t’i përmbyllur të gjitha çështjet e hapura”, tha Grubi në kuadër të vizitës së SH.F. “Ismail Qemali” në Komunën e Çairit.

Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve për propozimin për shfuqizimin e qeverisë teknike, Grubi tha se e mbështesin dhe se kjo çështje nuk do të ndikojë në idenë për kryeministrin shqiptar.

“Ne e kemi elaboruar këtë çështje, e kemi mbështetur dhe është dakorduar midis nesh dhe LSDM-së para zgjedhjeve në vitin 2020 dhe më vjen mirë që edhe VMRO-DPMNE i bashkohet nismës tonë që e kemi nënshkruar në marrëveshjen për koalicionim. Kjo asesi nuk ndikon në idenë për kryeministrin shqiptar pasi marrëveshjen me LSDM-në e kemi pasur pa qeveri teknike me kryeministër politik shqiptar”, theksoi Grubi.

I pyetur për qëndrimin për bashkimin e ish-zëvendës drejtorit të EMV-së, nipit të Ali Ahmetit, Fatmir Limani në Lëvizje Besa, Grubi potencoi se është e drejtë e tij legjitime dhe i dëshiron shumë sukses.