‘KUJDES’, nga sot energjia elektrike është më e shtrenjtë

Shpërndaje

Çmimi i energjisë elektrike në Maqedoninë e Veriut prej sot është rritur me 9.48 për qind dhe është hequr tarifa e lirë ditore.

Tarifa e lirë mbetet gjatë natës dhe të dielës, dhe sipas sqarimit të Komisionit Rregullator të Energjetikës (KRRE), nëse nuk hiqej tarifa e lirë ditore nga ora 14:00 deri në 16:00, çmimi i energjisë elektrike do të duhej të rritej për 14.23 për qind.

KRRE pas vendimit për rritjen e çmimit të energjisë elektrike njoftoi se në fund të këtij muaji ose në fillim të muajit të ardhshëm do të vendosë bllok tarifat që do të sigurojnë konsumin e energjisë elektrike me çmim më të ulët. Ata thanë se kufizimet nuk janë një opsion, përcjell INA.

Paralelisht me vendimin e KRRE-së, Qeveria miratoi edhe Programin për Konsumatorët në nevojë, i cili parashikon që kategoritë e personave me të ardhura të ulëta që nuk janë përfitues të asistencës së garantuar, të marrin ulje të faturës mujore për energjinë e konsumuar. 600 ose 800 denarë në muaj, varësisht nga numri i anëtarëve të familjes. Programi duhet të mbulojë rreth 7500 amvisëri për një periudhë 12 mujore.

Prej sot qytetarët në Shkup do të paguajnë më shtrenjta për ngrohjen, pasi që prej sot çmimi është rritur për 14,05 për qind për të gjithë konsumatorët. Tri kompanitë që furnizojnë qytetarët – Balkan Energy Group (BEG), ESM Energjetika dhe Shkupi Veri nga 1 janari faturojnë me çmimet e reja, që u vendosën edhe nga Komisioni Rregullator i Energjetikës.

Kryetari i KRRE-së, Marko Bislimovski tha se kriter bazë për formimin e çmimit të ngrohjes qendrore është çmimi i gazit natyror, i cili vitin e kaluar mesatarisht ka qenë rreth 240 dollarë për metër kub normal, ndërsa sivjet është ofruar çmimi prej 1480 dollarë. Ai ka theksuar se zakonisht BEG ka dhënë dy milionë euro në janar për furnizim me gaz, ndërsa këtë vit do të duhet të japë 13.8 milionë euro. Diferencën në çmim, siç tha ai, do ta plotësojnë Qeveria dhe komunat e Qytetit të Shkupit.