Lëvizja BESA: Qeveria e numrave s’ka legjitimitetin politik për qeverisje

Shpërndaje

Për programin dhe përbërjen e re qeveritare, nëpërmjet një kumtese dërguar mediave kanë reaguar nga partia opozitare, Lëvizja Besa.

Thonë se programi qeverisës i propozuar nga mandatari Dimitar Kovaçevski, është “dëshmi se Qeveria e re nuk ka kapacitetin politik, por as legjimitetin zgjedhor për të udhëhequr me vendin.

Reagimi i plotë nga Lëvizja BESA:

Lëvizja BESA: Qeveria e numrave s’ka legjitimitetin politik për qeverisje

Ashtu siç edhe pritej, qeveria e re që në paraqitjen e programit dëshmon se nuk ka as kapacitetin politik por as legjitimitetin zgjedhor për të udhëhequr me vendin. Në kohë të sfidave politike, ekonomike, sociale dhe arsimore në vend që të dëgjojmë oferta për zgjidhje të problemeve esenciale mandatari i ri shpalos idenë për dekriminalizimin e kanabisit dhe retorikën boshe politike që nuk garanton të ardhme të sigurtë për vendin.

Gjitha vërejtjet që Lëvizja BESA ka bërë gjatë kësaj periudhe dëshmohen si të sakta prandaj zgjidhja me e mirë për dalje nga kriza që po shkakton qeveria e numrave, janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Shtrembrimi i vullnetit politik, pazaret me shit-blerjen e mandateve të deputetëve kanë delegjitimuar këtë qeveri dhe korigjimi i gjithë kësaj situate bëhet vetëm duke kthyer mandatin te populli.

Lëvizja BESA do shfrytëzojë të gjitha mekanizmat demokratik për të demaskuar edhe më tej këtë qeveri jo legjitime, jo demokratike e cila është ndërtuar mbi interesin e pazareve me shit-blerjen e deputetëve dhe jo mbi parimet politike që duhet të ketë një qeverisje.