Mbahet ceremoni përkujtimore para Parlamentit Evropian për Sassolin
Para ndërtesës së Parlamentit Evropian (PE) në Bruksel është mbajtur një ceremoni përkujtimore për presidentin e PE-së, David Sassoli, i cili ndërroi jetë në Itali, transmeton Anadolu Agency (AA).
Eurodeputetët, stafi dhe mbështetësit e kreut të PE-së u mblodhën para parlamentit për të përkujtuar politikanin italian.
Turma, e cila mbajti një minutë heshtje, duartrokiti për Sassolin, i cili ndërroi jetë në moshën 65-vjeçare.
Edhe lideri shpirtëror i katolikëve, Papa Françesku, i dërgoi një mesazh ngushëllimi familjes së tij për vdekjen e Sassolit. Në mesazhin e tij, Papa deklaroi se Italia dhe BE-ja janë në zi për humbjen e Sassolit, të cilin e quajti, “një gazetar kompetent, që vepron me bamirësi dhe një burrë shteti i respektuar që bën më të mirën për të mirën publike”.
Sipas mediave italiane, varrimi i Sassolit pritet të bëhet në Romë të Italisë, të premten më 14 janar.
Sassoli ndërroi jetë në spitalin e Italisë, ku po trajtohej prej dy javësh.
Theksohet se 65-vjeçari Sassoli, i cili u shtrua në spital për pneumoni në shtator dhe u trajtua për një kohë të gjatë, kishte një sëmundje të rëndë të shkaktuar nga një çrregullim në sistemin imunitar.
Mandati i Sassolit, i cili u zgjodh kryetar i Parlamentit Evropian në vitin 2019, përfundon javën e ardhshme. Sassoli nuk kandidoi për rizgjedhje në zgjedhjet presidenciale të PE që do të mbahen në Strasburg, Francë, më 17-20 janar.
Ish-gazetari dhe personazhi televiziv Sassoli ka punuar për median italiane RAI përpara se të hynte në politikë dhe para se të zgjidhej si eurodeputet në vitin 2009.