Meta takon Zaevin: E falënderova për kontributin në përmirësimin e marrëdhënieve ndëretnike

Shpërndaje

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, gjatë vizitës së punës në Maqedoninë e Veriut, ka takuar edhe kryeministrin në largim, Zoran Zaev. Meta ka publikuar në llogarinë e tij në Facebook disa pamje nga takimi.

Në postimin e tij kreu i shtetit shqiptar shkruan se e falënderoi Zaevin për kontributin e tij për arritjen e Marrëveshjes së Prespës si dhe për anëtarësimin e vendit në NATO. Po ashtu, Meta thotë se i shprehu falënderime për përmirësimin e marrëdhënieve ndëretnike dhe konsolidimin e demokracisë në vend.

Postimi i plotë në Facebook:

“Gjatë qëndrimit në Shkup pata kënaqësinë të komunikoja edhe me Kryeministrin e dorëhequr, Zoran Zaev. E falënderova për kontributin e tij historik për arritjen e Marrëveshjes se Prespës dhe anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO. Po kështu, për përmirësimin e marrëdhënieve ndëretnike dhe konsolidimin e demokracisë, si dhe për vendimet e Qeverisë së tij për projektet madhore të Korridorit 8, shumë të rëndësishëm.”