Ndalohet prodhimi i kriptovalutave në gjithë territorin e Kosovës
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ditë më parë ka marrë vendim për masat emergjente për t’u përballur me krizën e energjisë që tashmë e ka kapluar vendin. E gjithë kjo ka ardhur pas rekomandimeve të Komitetit Teknik për Masat e Emergjencës në Furnizimin e Energjisë, i cili u formua së fundmi nga vet Ministria e Ekonomisë.
Si rrjedhojë, këto masa përfshijnë edhe ndalimin e prodhimit të kriptovalutave në gjithë territorin e Kosovës, pasi të njëjtat shpenzojnë shumë energji për prodhim, përcjell Buletini Ekonomik.
Përmes një njoftimi në uebfaqen zyrtare të ministrisë, kjo e fundit ka njoftuar se të gjitha institucionet relevante obligohen të identifikojnë lokacionet e prodhimit të kriptovalutave si dhe ta ndalojnë menjëherë aktivitetit në fjalë.
“Këto masa përfshijnë ndalimin e prodhimit të kriptovalutave në të gjithë teritorin e Republikës së Kosovës, ku obligohen të gjitha insititucionet relevante të identifikojnë lokacionet e prodhimit të kriptovalutave dhe të ndalojnë aktivitetin në fjalë”, thuhet tutje në njoftim.
Kujtojmë se propozimi i ministrisë për masat emergjente, parashihte ndërmarrjen e masave specifike por edhe themelimin e Komitetit Teknik në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë me qëllim të identifikimit dhe paraqitjes së rekomandimeve Ministres së Ekonomisë.
Komiteti Teknik i fomuar nga ministria, përbëhet nga përfaqësues të të gjitha institucioneve relevante si; Ministria e Ekonomisë (ME), Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), Operatori i Sistemit të Transmetimit dhe Tregut (KOSTT), Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), Operatori i Sistemit të Distribucionit (KEDS), Furnizuesi i Shërbimit Univerzal (KESCO), Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM) si dhe Autoriteti Kosovar i Konkurencës (AKK).
Ky komitet është paraparë t’i identifikojë dhe të rekomandojë zbatimin e masave për t’i trajtuar efektet negative të rrethanave të krijuara në bazë të të cilave Ministria e Ekonomisë do të marrë vendime dhe do të publikojë masa kufizuese.
Pos kësaj, në një njoftim nga ministria ditë më parë, thuhej se duke u bazuar në këto rekomandime, Qeveria si masë emergjente do të vendosë obligime të veçanta për ndërmarrjet e energjisë me qëllim të trajtimit të çfarëdo mungese të papritur ose afatgjatë të kapacitetit prodhues energjetik, kapacitetit të transmetimit apo të shpërndarjes së energjisë.