Të dyshuar për krime lufte, 9 të arrestuar në Kosovë. Operacioni i policisë në Zubin Potok lidhet me “grupin e intelektualëve”
Nëntë persona janë arrestuar në Zubin-Potok, nën dyshimin se janë përfshirë në krime lufte kundër popullsisë civile gjatë luftës në Kosovë.
Operacioni, i koduar “Dosja 23”, u zhvillua në orët e para të mëngjesit nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës, në bashkëpunim me njësitë e tjera të specializuara të Policisë së Kosovës dhe me urdhër të Prokurorisë Speciale.
Sipas autoriteteve, të arrestuarit dyshohen për veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.
Hetimi lidhet me rastin e njohur si “Grupi i Intelektualëve të Mitrovicës”, i përbërë nga 23 persona, mes tyre mjekë, profesorë, avokatë dhe profesionistë të tjerë, të cilët rezultojnë të zhdukur që prej prillit të vitit 1999.
Në fund të korrikut, në zonat e Kalludrës dhe Jabukës nisën gërmimet për gjetjen e mbetjeve mortore. Operacioni përfundoi më 21 gusht, ndërsa gjatë kërkimeve u gjetën mbetje që dyshohet se u përkasin 23 personave.
Pas këtyre zbulimeve, hetimet e Prokurorisë Speciale dhe Policisë së Kosovës janë zgjeruar për të dokumentuar rrethanat e vrasjes dhe zhdukjes së personave të këtij grupi.
Nëntë arrestimet në Zubin-Potok përbëjnë një zhvillim të rëndësishëm në hetimet për zbardhjen e fatit të “Grupit të Intelektualëve të Mitrovicës” dhe identifikimin e personave të dyshuar për përfshirjen në këto krime.
Komunikatë e përbashkët e Prokurorisë Speciale dhe Policisë së Kosovës
Operacioni “Dosja 23”
9 personat e arrestuar ndalohen me urdhër të Prokurorisë Speciale për 48 orë
Prishtinë, 27 shtator 2026
Nëntë personat e arrestuar sot ( e diel, 27 shtator 2026), nga Policia e Kosovës, nën dyshimin për krime lufte në Kosovë, me aktvendim të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, janë ndaluar për 48 orë.
D.D., M.R., M.R., R.R., S.D., S.D., V.L., R.R dhe D.D dyshohen për kryerjen e veprës penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.
Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës, mbështetur edhe nga njësitë e tjera të Policisë së Kosovës, kanë zhvilluar urdhër kontrollin në disa lokacione në komunën e Zubin Potokut.
Gjatë realizimit të bastisjes, janë sekuestruar këto prova materiale si në vijim:
· nëntë (9) telefona mobilë;
· dy (2) libreza ushtarake;
· një (1) armë e gjatë dhe një (1) pushkë gjuetie;
· fishekë të kalibrit 7.65 mm dhe fishekë të pushkës së gjuetisë;
· katër (4) predha;
· para të gatshme në shumën rreth 23,000 (njëzet e tre mijë) euro;
· para të gatshme në shumën rreth 60,000 (gjashtëdhjetë mijë) dinarësh serbë;
· si dhe prova dhe materiale të tjera relevante që ndërlidhen me rastin.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës dhe Policia e Kosovës, riafirmojnë përkushtimin dhe angazhimin në ndjekjen penale dhe sjelljen para drejtësisë të të gjithë personave të dyshuar për kryerjen e krimeve të luftës.
Komunikatë e përbashkët e Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Speciale
Prishtinë, 27 shtator 2026
Në kuadër të veprimeve hetimore lidhur me rastin e krimeve të luftës, Policia e Kosovës, respektivisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës, mbështetur edhe nga njësitet tjera të specializuara policore, me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, sot në orët e hershme të mëngjesit në komunën e Zubin Potokut ka zhvilluar operacionin e koduar si ”Dosja 23”.
Si rezultat i këtij operacioni janë arrestuar nëntë (9) persona të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.
Operacioni policor ndërlidhet me rastin e njohur si “Grupi i intelektualëve”, ndërsa për detaje të mëtejshme lidhur me operacionin dhe veprimet e ndërmarra, Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës do ta informojnë publikun në momentin kur informacioni mund të bëhet publik.

