Para një viti Mijallkov u zhduk për disa ditë! Kush do ta kthejë nëse zhduket përsëri?

Shpërndaje

Para një viti Sasho Mijallkov ishte njeriu më i kërkuar në vend. Policia nuk mund ta gjente askund kur Prokuroria kishte lëshuar kërkesë për paraburgim. Askush nuk mbante përgjegjësi për zhdukjen e Mijallkov, fiks disa ditë para se të shpallej aktvendimi për lëndën “Target-Fortesa”. Edhe pse për Mijallkovin ishte lëshuar fletarrest kombëtar e ndërkombëtar, megjithatë Mijallkov u paraqit në prokurori, para se policia ta gjente.

“-Z. Mijallkov, mirëdita. Jeni në Maqedoni? -Po, jam këtu. –Po e shoh që jeni në Shkup. Ishit në arrati? -Jo! –E gjithë Maqedonia ju ka kërkuar, policia. -E kuptova këtë mëngjes, andaj më vjen me të vërtetë keq, kam ardhur, pasi që mësova, të paraqitem në prokurori. Dje për fat të keq me të vërtetë isha i sëmurë me temperaturë mbi 40 dhe kur këtë e kuptova sot në mëngjes, vendosa që të vij dhe të paraqitem”, deklaroi Mijallkov.

Pas paraqitjes se Mijallkov, kryeministri në largim Zoran Zaev, pati deklaruar se ish-shefi i DSK-së nuk kishte nga t’ia mbathte, pasi ai personalisht e ka koordinuar gjithë aksionin për kapjen e Mijallkov.

“Aksionin e kam koordinuar unë dhe mund të them se Sasho Mijallkov nuk kishte zgjidhje tjetër dhe e bëri atë që e kishte opsion të pashmangshëm. U paraqit në Prokurori për Krim të Organizuar dhe me atë është siguruar paraburgimi i tij”, pohoi Zoran Zaev, kryeministër.

Përkundër Gjykatës së Apelit që vendosi për lirimin e Mijallkovit, qëndrimi i Prokurorisë ishte të mos pranohet garancia e ofruar.

“Prokuroria ka dhënë propozime negative sepse vlerësoi se nuk ka asnjë pasqyrë të gjendjes pronësore të të akuzuarit dhe së dyti prona e cila ofrohet për garanci përbëhet në pasuri të paluajtshme të cilat ofrohen si përjashtim, përndryshe garancia zakonisht jepet në para në dorë nga njëra anë, nga ana tjetër prona e ofruar nuk ka cilësi të mjaftueshme që të mund të arkëtohet shpejt”, tha Ljubomir Jovevski, prokuror publik.

E përveç Mijallkovit, edhe biznesmeni Orce Kamçev është liruar nga paraburgimi, me garancinë e njëjtë prej pothuajse 11 milionë eurove e cila përbëhet nga prona dhe para në dorë. Nga Gjykata shtojnë se Kamçevit i është caktuar masa e kujdesit, përkatësisht të paraqitet në gjykatë një herë në javë dhe të mos largohet nga Shkupi.