Policia aksion në veri, konfiskohen 272 pajisje për prodhimin e kriptovalutave

Shpërndaje

Policia e Kosovës ka konfiskuar 272 pajisje për prodhim të kriptovalutave në fshatin Trebicë të Leposaviqit.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, njoftoi se nga ky aksion është arrestuar një person. Njoftimi është bërë me anë të një postimi në ‘Facebook’, shkruan lajmi.net.

“Sot në orët e para të mëngjesit, pas kërkesës së Doganave të Kosovës, Policia e Kosovës ka organizuar aksionin e zbulimit dhe konfiskimit të paisjeve për minim të kriptovalutave. Në këtë aksion në afërsi të fshatit Trebice të komunës së Leposaviqit u konfiskuan 272 nga këto lloj paisjesh dhe u arrestu një person. Gjithë aksioni u zhvillua dhe përfundoi pa incidente. Aksione të këtilla do të vazhdojnë deri në implementimin e plotë të vendimit të Kuvendit dhe Qeverisë së Republikës”, ka shkruar Sveçla.

Policia ka kryer edhe dy aksione të tjera për konfiskimin e pajisjeve për prodhimin e kriptovalutave.

Ministria e Ekonomisë, në përputhje me rekomandimin e komitetit për krizën energjetike, ka vendosur që të ndalojë prodhimin e kriptovalutave.