Presidentja Osmani pranoi letrat kredenciale nga ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Jeffrey M. Hovenier

Shpërndaje

Presidentja Osmani pranoi letrat kredenciale nga ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Jeffrey M. HovenierPresidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani – Sadriu, ka pranuar letrat kredenciale nga ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Kosovës, Jeffrey M. Hovenier.

Presidentja Osmani i ka uruar mirëseardhje ambasadorit Hovnier, i cili sipas saj është shumë i afërt me Republikën e Kosovës, sepse ka shërbyer këtu më herët dhe i kupton shumë mirë dinamikat në vendin tonë.

“Kosova sot është shumë ndryshe nga Kosova të cilën e kujton ambasadori Hovenier, sepse ka ecur përpara, mirëpo një gjë ka qëndruar konsistente gjatë gjithë kësaj kohe, kjo është marrëdhënia dhe partneriteti e miqësia jonë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ne jemi rritur e zhvilluar si vend, si dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë sepse jemi të bekuar të kemi Shtetet e Bashkuara të Amerikës pranë nesh në çdo hap të rrugëtimit tonë”, ka theksuar Presidentja Osmani. E para e vendit ka thënë se roli i ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë është thelbësor, për të garantuar që marrëdhënia jonë do të vazhdojë të lulëzoj. “Kam kënaqësinë e veçantë të hap këtë kapitull të ri të bashkëpunimit dhe Partneritetit me ambasadorin Hovenier. Në këtë kapitull të ri të bashkëpunimit shpresoj të forcojmë edhe më tej marrëdhëniet tona dypalëshe, por edhe të shtyjmë përpara në rajon e në rrafshin ndërkombëtar idealet dhe vlerat demokratike në të cilat ne besojmë bashkërisht”, ka pohuar Presidentja. Sipas Presidentes Osmani pavarësisht sa i madh apo i vogël mund të jetë një shtet, të gjithë mund të japin kontribut të rëndësishëm për paqen dhe sigurinë në rajon dhe në botë.

“Vendi ynë, Republika e Kosovës beson dhe i promovon vlerat të cilat i përfaqësojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dy popujt tanë besojnë në liritë demokratike, dhe ne jemi të vendosur t’i mbrojmë ato gjithmonë meqenëse i kemi fituar me shumë mund e sakrificë. Kam besim të plotë se duke punuar ngushtë me ju zotëri ambasador ne mund të arrijmë qëllimet tona të përbashkëta. Dua t’ju siguroj se nuk do të gjeni asnjëherë aleatë më të përkushtuar dhe më besnik sesa Republika e Kosovës”, ka thënë Presidentja Osmani.

Pas takimit dhe konferencës së përbashkët, Presidentja Osmani dhe ambasadori Hovenier, kanë vendosur kurorë lulesh te shtatorja e Presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova. Presidentja Osmani ka thënë se si themeltar i shtetit të Kosovës, ai diti të ndërtojë jo vetëm hapat drejt shtetit tonë të pavarur dhe sovran, por të ndërtojë miqësi të sinqerta, miqësi të forta të cilat i kanë rezistuar kohës dhe do të vazhdojnë të ujiten dhe të lulëzojnë edhe më tej nga ana e gjithsecilit prej nesh. “Në nderim të këtij njeriu të madh të kombit tonë, i cili dha shumë për Kosovën e pavarur dhe sovrane, dhe për miqësitë që ne sot i gëzojmë së bashku me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës deshëm që sot si simbolikë e kësaj miqësie të fortë ta vendosim këtë kurorë këtu së bashku”, ka thënë Presidentja Osmani.