Temperatura të “çmendura”, ky është vendi në Shqipëri ku termometri shënon -23 gradë Celcius

Shpërndaje

Skaji më verior i Shqipërisë, Vermoshi ka shënuar temperaturën më të ulët (-23°C). Në zonën e Thethit termometri shënoi temperaturën -18°C.

Në këto zona të thella malore ka patur vështirësi për sa i përket lëvizjes së automjeteve. Rrugët drejt Kelmendit dhe Fushë Arrëzit konsiderohen si më problematiket për sa i përket qarkullimit të makinave. Bashkitë u kërkojnë shoferëve që të përdorin zinxhirët në goma në këto rrugë.

Lidhur me furnizimin me energji elektrike dhe ujin e pijshëm, në Vermosh familjet mbetën disa orë pa energji elektrike, ndërsa në Vaun e Dejës ka patur ndërprerje të ujit të pijshëm për shkak se kanë ngrirë tubacionet.

I gjithë vendi është nën ndikimin e të ftohtit polar. Sinoptikania Lajda Porja deklaroi ditën e sotme se nesër do të jetë dita më e acartë e këtij muaji. Në një lidhje “Skype” për News24, Porja tha se temperaturat në zonat malore do të shkojnë deri në minus 17 gradë celsius, ndërsa në Tiranë pritet të zbresë deri në minus 5 gradë. Sipas sinoptikanes, vala e të ftohtit pritet të tërhiqet nga Shqipëria ditën e mërkurë, ku moti do të vijojë i kthjellët dhe me temperatura normale për muajin janar.