BDI: VMRO-së i pengon suksesi i kuadrove shqiptarë

Shpërndaje

Bashkimi Demokratik për Integrim nëpërmjet një komunikate ka reaguar ndaj VMRO- DPMNE duke theksuar se qëllimi i këtij subjekti politik është kundër shqiptarëve në krye të institucioneve shtetërore, pikërisht në periudhën kur vendi po shënon progres të dukshëm në proceset politike të rëndësishme për zhbllokimin e rrugës së tij drejt Bashkimit Europian, në të cilat me legjitimitet të plotë nga populli janë të angazhuar kuadrot e Bashkimit Demokratik për Integrim në bashkëpunim me partnerët e koalicionit.

“VMRO DPMNE-së po i pengon edhe përcaktimi strategjik dhe angazhimi i BDI-së për ndërtimin e raporteve të fqinjësisë së mirë me vendet e rajonit, për thellimin e bashkëpunim ekonomik me ta, për projektet e ndërlidhjes më efikase rrugore, prandaj tenton të hedhë pluhur mbi agjendën e gjelbër të konfirmuar proeuropiane të zhvillimit të vendit përmes plasimit të akuzave të pabaza”, thuhet në komunikatë.

Sipas BDI prononcimet mediatike të VMRO-së janë kopje e zbehtë e fushatës së LSDM-së para disa viteve me të njejtin vokabular dhe me të njejtin qëllim.

“Bashkimi Demokratik për Integrim udhëheq politika transparente të zhvillimit të vendit, me program konkret e të dëshmuar të qeverisjes së mirë, me ekzekutiv të reformuar në aspektin kadrovik duke qenë faktor i pakontestueshëm stabiliteti. VMRO duhet të mësohet dhe ta pranojë realitetin e pamohueshëm të përfshirjes së barabartë të shqiptarëve dhe që kohërat e politikave kundër shqiptarëve, kundër fqinjëve, kundër NATO dhe BE nuk mund të kthehen më në vendin tone”, thuhet mes tjerash.

Për BDI-në tentativat e dështuara të VMRO-së së bashku me Levicën, Besën dhe Aleancën nuk mund t’i tejkalojë emocionet e veta dhe në vend që t’u ofrojë zgjidhje dhe propozime qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, ofrojnë gënjeshtra dhe mashtrime.

Nga BDI shtojnë se do të vazhdojnë të luftojmë për të mirën e qytetarëve nëpërmjet programeve të tyre.