Borrell për sanksionet e BE-së: ​Më shumë se gjysma e rezervave të Bankës Qendrore të Rusisë do të bllokohen

Shpërndaje

Shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, gjatë një konference ka bërë të ditur se më shumë se gjysma e rezervave të Bankës Qendrore të Rusisë do të bllokohen, si pjesë e sanksioneve të reja të BE-së kundër presidentit Putin.

Borrell, shtoi se do të propozojë përdorimin e fondeve të BE-së për financimin e armëve, karburantit dhe furnizimet mjekësore për Ukrainën.

E sipas presidentes së KE-së, Ursula von der Leyen, kjo është hera e parë që Bashkimi Evropian po e financonë blerjen dhe dërgimin e armëve dhe pajisjeve në një vend të sulmuar.

Ajo shtoi po ashtu se Bashkimi Evropian ka vendosur të mbyllë hapësirën ajrore për avionët në pronësi ruse, të regjistruar rus ose të kontrolluar nga Rusia.

Ndërkaq, një ditë më herët, Bashkimi Evropian, së bashku me Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tjerë perëndimorë, – për shkak të pushtimit të Ukrainës – vendosën t’i përjashtojnë disa banka ruse nga sistemi i pagesave ndërbankare, SWIFT.

Përjashtimi i bankave të Rusisë nga SWIFT-i kufizon qasjen e këtij vendi në tregjet financiare në botë.

Kompanitë dhe individët rusë do ta kenë më të vështirë të paguajnë për importet, të marrin pagesat për eksportet, të marrin hua ose të investojnë jashtë shtetit.

Ndërkohë, presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar ushtrinë që të vendosë forcat parandaluese të Rusisë – referencë për njësitet që përfshijnë krahun bërthamor – në gatishmëri të lartë, duke cituar ato që i ka konsideruar deklarata agresive të liderëve të NATO-s, dhe sanksionet ekonomike kundër Moskë, njofton Telegrafi.