CNN nxjerr pamjet: Rusia po ndërton një urë në kufirin me Ukrainën

Shpërndaje

Teksa Rusia njoftoi tërheqjen e trupave të saj nga kufijtë e Ukrainës në baza, imazhet satelitore të dy ditëve të fundit tregojnë rrugë të reja dhe ndërtimin e një ure taktike mbi lumin Pripyat, një lumë kyç në Bjellorusi më pak se 6-7 km nga kufiri ukrainas.

Zyrtarët e inteligjencës perëndimore dhe ushtarake po ndjekin nga afër ndërtimin e urës si pjesë e infrastrukturës mbështetëse që Rusia po vendos përpara një pushtimi të mundshëm, thanë për CNN tre burime të njohura për këtë çështje.

Si ndërtimi i ri i rrugëve ashtu edhe ura, përgjatë lumit Pripyat në Bjellorusinë jugore, janë më pak se katër milje larg nga kufiri i Ukrainës dhe mund të përdoren nga forcat ruse për një pushtim të mundshëm, nëse forcat e ushtrisë i drejtohen Kievit.

Rusia po ndërton “ura, spitale në terren, të gjitha llojet e infrastrukturës mbështetëse”, tha një burim i njohur me këtë çështje. “Kjo është arsyeja pse ne nuk po i marrim seriozisht pretendimet e tyre për de-përshkallëzimin e konfliktit.”

Aktivitetet e ndërtimit monitorohen nga afër nga inteligjenca perëndimore dhe udhëheqësit ushtarakë. Nuk është e qartë nëse po veprojnë rusët apo aleatët e tyre bjellorusë, me të cilët po bëjnë stërvitje të përbashkëta.

Bjellorusia është aleati më i afërt ndërkombëtar i Rusisë ndërsa stërvitjet e përbashkëta ushtarake, zyrtarët perëndimorë i vlerësojnë si forca që mund të përdoren për të pushtuar Ukrainën nga veriu, veçanërisht nëse Rusia zgjedh të marshojë në Kiev.

Sipas vlerësimeve të inteligjencës perëndimore, presidenti rus Vladimir Putin është i pozicionuar për të nisur një pushtim të plotë të Ukrainës në çdo kohë./Opinion.al