Kurti: 70 për qind e konsumatorëve shtëpiakë gjatë dimrit shpenzojnë më pak se 800 kWh në muaj

Shpërndaje

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen e sotme të 61 të qeverisë ka folur për tarifat e reja të vendosura nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë dhe mbështetjen e qeverisë për qytetarët nëpërmjet subvencionimit.

Ai ka theksuar se gjatë muajve të dimrit është dashur të importojnë rreth 40 për qind të energjisë elektrike që është konsumuar dhe me çmime të importit deri në shtatë herë më shtrenjtë sesa zakonisht.

“Vetëm për një ditë në muajin janar kemi paguar 2.5 milionë euro për import të energjisë elektrike. Në dy muajt e fundit, kemi subvencionuar konsumin nga importi. Kemi mundësuar që të ketë furnizim të pandërprerë të rrymës, kështu që kriza që na ka prekur si vend të mos ndjehej nga qytetarët. Muajt dhjetor dhe janar janë prej muajve më kritik të vitit. Janë muaj të gjatë edhe të ftohtë, që përcillen me shpenzime të festave të fund vitit, edhe me konsum më të lartë të energjisë elektrike. Prandaj, jemi kujdesur që gjatë këtyre dy muajve mos të ketë asnjë barrë shtesë për qytetarët tanë. Por, një formë e tillë e subvencionimit është e papërballueshme dhe e paqëndrueshme për buxhetin e shtetit tonë. Gjatë këtij viti çmimet e importit të energjisë elektrike nuk pritet të kthehen në shifrat e mëparshme. Sivjet do të duhet të vazhdojmë të importojmë energji elektrike, andaj kemi një hendek të kushtueshëm, të cilin na duhet ta mbulojmë”, ka thënë Kurti, duke shtuar se Zyra e Rregullatorit të Energjisë dje ka bërë publik vendimin e saj në lidhje me tarifat e reja të energjisë elektrike.

Sipas Kurtit, me këtë vendim, ZRRE-ja përveçse ka ulur tarifat që fillimisht kishte propozuar, po ashtu ka zhvendosur pragun e bllok tarifës nga 600 kWh në 800 kWh.

“Përballë tarifave të reja të ZRRE-së ne tashmë kemi zotuar deri në 100 milionë euro për subvencionimin e energjisë elektrike për qytetarët tanë. Pra, shumën fillestare prej 75 milionë euro e kemi ngritur në 100 milionë. Besojmë se kjo shumë e zotuar e ka mundësuar uljen e çmimeve të tarifave që fillimisht ishin propozuar nga ZRRE-ja dhe zhvendosjen e bllokut tarifor nga 600 kWh në 800 kWh. Çmimi i energjisë elektrike për të gjithë qytetarët që janë konsumatorë shtëpiakë mbetet i pandryshuar për 800 kWh-shin e parë të shpenzuar. Tarifat e reja do të aplikohen vetëm për shpenzimet mbi 800 kWh në muaj”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka ndarë disa shembuj të shpenzimeve mesatare sipas konsumit të konsumatorëve shtëpiakë dhe ndryshimet e përafërta me këto tarifa pas subvencionimit të qeverisë.

“Për konsum deri në 800 kWh, nuk do të ketë rritje. Në rastin e konsumit 850 kWh, duke llogaritur një raport mesatar 60:40 të tarifës së lartë dhe asaj të ulët, dallimi në mes të faturës së vjetër dhe asaj të re do të jetë minimal. Nga 49.67 euro në 52.19 euro. Pra, një rritje prej rreth 5%, apo rreth 2 euro e gjysmë më shumë në muaj. Në rast të konsumit 1000 kWh, duke llogaritur sërish një raport mesatar 60:40 të tarifës së lartë dhe asaj të ulët, dallimi në mes të faturës së vjetër dhe asaj të re do të jetë rreth 17%. Nga 58.10 euro në 68.18 euro. Pra, 10 euro më shumë në muaj, për ata, të cilët konsumojnë 1 mWh në muaj. Ndërkaq, në rast të konsumit të 1200 kWh në muaj, duke llogaritur përsëri një raport 60:40 të tarifës së lartë dhe asaj të ulët, dallimi në mes faturës së vjetër dhe asaj që do të jetë pastaj është pak më e lartë. Nga 69.35 euro në 89.51 euro. Një rritje prej rreth 29% apo rreth 20 euro”, ka thënë ai.

Kurti ka thënë se sipas të dhënave, bazuar në shpenzimet e vitit të kaluar, 70.4% të konsumatorëve shtëpiakë gjatë dimrit shpenzojnë mesatarisht më pak se 800 kWh në muaj.

“Mesatarisht. Që do të thotë se falë subvencionimit nga ana e qeverisë, gjatë muajve të ftohtë mesatarisht 70.4% të familjeve nuk do të preken nga rritja e çmimeve të energjisë elektrike ose do të preken minimalisht. Kurse gjatë muajve të verës 89.2% të konsumatorëve shtëpiakë shpenzojnë mesatarisht më pak sesa 800 kWh në muaj. Që do të thotë se gjatë muajve të nxehtë, mesatarisht 89.2% të familjeve nuk do të preken nga rritja e çmimeve të energjisë elektrike. Ndërkaq, 100% të familjeve do të përfitojnë nga subvencionimi i 800 kWh-shit të parë, që ato shpenzojnë. Në anën tjetër, për bizneset nuk do të ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike. Në një kohë kur çmimet e shumë produkteve janë duke u rritur shkaku i inflacionit të importuar, në këtë formë synojmë që të shmangim ndonjë rritje të mëtutjeshme të produkteve dhe shërbimeve që ato ofrojnë, që do të mund të merrnin shkas rritjen e çmimit të energjisë. Kështu ruajmë edhe qytetarët edhe bizneset”, është shprehur Kurti.

Ai ka theksuar se në kriza energjetike, si në çdo krizë tjetër, nuk ka zgjidhje ideale.

“Në ballafaqim me kriza nuk mund të kërkohet menjëherë një gjendje si para saj. Duhet të synohet një mënyrë për tejkalimin sa më të shpejtë të krizës për sa më shumë prej jush. Kur kërkohet të mos ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike në një kohë që po shpenzojmë më shumë se ç‘prodhojmë dhe kur çmimet e importit vazhdojnë të jenë më të larta se zakonisht, çka në fakt po kërkohet është që ose shteti të subvencionojë plotësisht importin e energjisë ose që mrekullisht të zhduket kriza energjetike”, është shprehur kryeministri Kurti.