Presidentja Osmani: Më 17 shkurt 2008 është përcaktuar njëherë e përgjithmonë fati ynë si shtet i pavarur dhe sovran
Presidentja Osmani i ka uruar të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës për 14 vjetorin e shtetit tonë, 14 vjetorin e arritjes më kulminante që populli i Kosovës e ka pasur në historinë e saj, pra shtetin e pavarur, sovran dhe demokratik të Kosovës.
“Natyrisht që edhe në këtë ditë, sikur çdo ditë të punës e përpjekjeve tona dua ta shfrytëzoj për t’i falënderuar dhe t’i nderuar të gjithë ata që kanë dhënë gjithçka në mënyrë që sot ne ta gëzojmë shtetin që e kemi, duke filluar nga vizionari dhe arkitekti i pavarësisë së Republikës së Kosovës, presidenti Rugova i cili diti ta qartësoj vullnetin e popullit të Kosovës para botës dhe të krijoj miqësi të cilat edhe sot i gëzojmë dhe duke vazhduar me mbi 3 mijë dëshmor të cilët flijuan jetën e tyre në mënyrë që sot të jetojmë të lirë të udhëhequr nga komandanti legjendar Adem Jashari dhe familja Jashari”, ka thënë Presidentja Osmani.
Presidentja Osmani më tutje ka theksuar se sakrifica për shtetin tonë ka qenë jashtëzakonisht e madhe.
“Natyrisht që sakrifica për shtetin tonë ka qenë jashtëzakonisht e madhe, mbi 13 mijë civil prej të cilëve 1133 e më shumë fëmijë, rreth 20 mijë të mbijetuara të dhunës seksuale gjatë luftës, mbi 130 mijë shtëpi të shkatërruara, shumë monumente kulturore e mbi 1600 të zhdukur janë plagë akoma e hapur e Republikës sonë dhe liria jonë do të jetë e plotë atë ditë kur do të ketë drejtësi për të gjitha viktimat dhe atë ditë kur deri qytetari ynë i fundit do të kthehet në Republikën tonë, tek shteti i vet, tek familjet e tyre”, ka pohuar Presidentja.
E para e vendit ka thënë se shteti ynë është punë e përfunduar dhe me 17 shkurt 2008 është përcaktuar njëherë e përgjithmonë.
“Në këtë ditë, natyrisht festojmë edhe të arriturat e Republikës së Kosovës sepse shteti ynë natyrisht është punë e përfunduar dhe me 17 shkurt 2008 është përcaktuar njëherë e përgjithmonë fati ynë si shtet i pavarur dhe sovran, megjithatë, sfidat vazhdojnë.
Në këto sfida duhet të qëndrojmë të bashkuar sepse historia jonë ka dëshmuar çdoherë që vetëm atëherë kur jemi të unifikuar e të bashkuar rreth qëllimit për ta bërë Kosovën shtet të suksesshëm, shtet që i del zot qytetarëve të vet, shtet me të cilin mburren që të gjithë të rinj e të vjetër, burra e gra, atëherë ne vërtet mund të kemi sukses. Unë jam e bindur që deri tani i kemi bërë krenar edhe miqtë tanë të cilët na kanë ndihmuar gjatë periudhës së lirisë, periudhës së pavarësisë por edhe në procesin e shtetndërtimit e janë pranë nesh edhe sot, prandaj dua ta shfrytëzoj këtë rast që t’i falënderoj që kurrë nuk na lanë vetëm sepse siç e ka thënë presidenti ynë historik, shtëpia nuk mbahet pa miq e Republika e Kosovës është dëshmia më e madhe e kësaj”, ka thënë Presidentja Osmani.
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca ka thënë se sot është padyshim dita më e rëndësishme e Republikës tonë, sepse është dita e pavarësisë.
“Kjo ditë mishëron dhe sublimon të gjitha përpjekjet dhe gjithë sakrificën e gjeneratave për lirinë tonë politike prandaj edhe vet fakti që këtë ditë po e fillojmë me ngritjen e flamurit të shtetit tonë, është një simbolik që tregon se shteti jonë do të qëndroj lartë dhe i paepur përgjithmonë. Përgjatë gjithë ditës do të shënojmë këtë ditë të rëndësishme të shtetit tonë me aktivitete të shumta ashtu siç e meriton kjo ditë e rëndësishme, prandaj shfrytëzoj rastin që të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës t’ua uroj ditën e pavarësisë”, ka thënë Konjufca.
Ndërkaq, kryeministri Kurti ka thënë se teksa kremtojmë e festojmë, gëzohemi dhe e urojmë njëri-tjetrin, nuk kemi se si të mos kujtojmë e përkujtojmë ata të cilët punuan dhe luftuan për lirinë e popullit dhe për pavarësinë e vendit.
“Andaj, nga kryeqyteti i Republikës këtu në oborrin e përbashkët të Presidencës, Kuvendit dhe të Qeverisë, ku bëmë nderime dhe ngritëm flamurin shtetëror do të vazhdojmë për kryeqendrën e kryengritjes të popullit tonë në Prekaz, pra tek Kompleksi Adem Jashari dhe më pastaj tek varri i presidentit Ibrahim Rugova dhe i veprimtarit Adem Demaçi. Të gjithë ata të cilët punuan dhe luftuan kanë lënë gjurmë të pashlyeshme për të sotmen dhe të ardhmen tonë, andaj ne u jemi falënderuese të gjithëve dhe mirënjohës përjetë”, ka thënë Kurti.