Sot nis testimi skrining për COVID-19 në Maqedoninë e Veriut
Nga sot nis testimi i rastësishëm skrining, i cili duhet të tregojë nëse dhe çfarë imuniteti ndaj COVID-19 ka popullata në vend, për të ndihmuar Komisionin për Sëmundjet Infektive dhe shtetin në planifikimin e masave të ardhshme.
Testimi është planifikuar të bëhet te 1000 persona në Shkup, por ekziston mundësia që të zgjerohet në të gjithë vendin për të marrë të dhëna më reale për imunizimin në këtë moment, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Kryetari i Komisionit për Sëmundje Infektive, Aleksandar Petliçkovski, javën e kaluar informoi se testimi i tillë është bërë para një viti dhe ka treguar se rreth 30 për qind e të testuarve kanë qenë seropozitiv, përkatësisht kanë pasur imunitet, që ka ardhur ekskluzivisht për shkak të sëmundjes.
Ndërsa ministri i Shëndetësisë Bekim Sali, ka njoftuar për analizë serologjike në të gjithë territorin e vendit.
“Kjo analizë do të na tregojë realisht se sa të imunizuar jemi. Ne kemi të dhëna se sa janë vaksinuar, sa janë me një, dy, tre vaksina, me çfarë vaksinash. Por, duke ditur që lloji omicron në veçanti kalon me një formë klinike më të lehtë, shumë nga popullata jonë nuk janë testuar dhe e kanë kaluar omicronin vetëm në shtëpi”.
“Dhe ne duam të kemi një pasqyrë të qartë se sa nga popullata jonë e kanë kaluar kovidin dhe në bazë të këtyre rezultateve do të kemi pasqyrë më reale”, tha Sali.
Ndryshe, numri i rasteve aktive me COVID-19 në Maqedoni është 11.135./Telegrafi/