Taravari: Ëmbla kthehet në klasë dhe me koordinim do të tejkalohen problemet
Kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari, paralajmëroi se problemet me rezistencën e disa prindërve, ndaj fëmijës me sindromin daun të ndjekë mësimin në shkollën “Bashkimi” do të tejkalohen. Taravari pas takimit me babain e Ëmblës dhe udhëheqësinë e shkollës konfirmoi se ajo do të kthehet në klasë.
Vendimi i tillë erdhi pas takimit të kryetarit të komunës së Gostivarit, Taravari, drejtorit të shkollës Ziadin Nuredini, babait të Ëmblës, asistentit personal dhe defektolog në hapësirën në të cilën vajza merr mbështetje nga profesionist.
Taravari sqaroi se në fillim të dhjetorit të vitit të kaluar, disa prindër kanë reaguar dhe janë ankuar për sjelljen e saj dhe kanë dërguar peticion, por për këtë rast nuk ishte i informuar.
“Sipas nënës, vajza është transferuar në klasa të tjera për t’u përshtatur. Këtu ka pasur lëshime, sepse nuk është mirë për të e cila ka nevoja të veçanta. Ajo mund të jetë një orë ose dy në praninë e asistentes personale dhe defektologe në një formë të trajtimit që mund të kontribuojë për gjithpërfshirjen e saj. Ky është rasti i parë në komunën tonë dhe askush nuk është ankuar, sepse ka edhe fëmijë tjerë me sindromin daun të cilët janë gjithpërfshirë dhe ndjekin mësim. Mirëpo, është mirë që u ulëm bashkë të bisedojmë dhe të koordinohemi për tejkalim të kësaj gjendje. Ëmbla sërish është në klasë dhe ajo duhet të ndjehet si në shtëpinë e saj”, deklaroi Taravari.
Ai mendon se në 4-5 vitet e fundit vetëqeverisja lokale investon shumë për gjithpërfshirjen e fëmijëve me nevoja të veçanta dhe se ky rast nuk e pasqyron gjendjen në komunën e Gostivarit.
Taravari vuri në dijeni se shoqëria duhet të tregojë më shumë humanizëm dhe mirëkuptim ndaj fëmijëve të tillë për të cilët tha se janë “dhuratë nga Zoti” dhe të pranohen. Për të, zbardhja e këtij rasti është mirë, sepse në mënyrë të tillë inkurajohen edhe prindërit tjerë të cilët përballen me probleme të tilla të flasin për to.
Falënderim për pritjen dhe takimin shprehu edhe Ilir Ademi, babai i vajzës, i cili shfaqi shpresë se ky do të jetë rasti i fundit i tillë. Ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri, personalisht i premtoi babait të Ëmblës 11 vjeçare, me sindromin daun, se do ta zgjidh problemin.