Xhaferi për sulmin rus: “Ahmeti alarmoi që nga viti 2014, tha Ukraina s’është larg nga RMV”

Shpërndaje

Kryeparlamentari Talat Xhaferi ka dënuar sulmin rus ndaj Ukrainës.

Duke komentuar situatën e sotme, tha se nuk është diçka e re dhe se për të njëjtën lideri i BDI-së, Ali Ahmeti kishte folur qysh në vitin 2014-të, transmeton TV21.

Atëherë Ahmeti kishte thënë se Ukraina nuk është larg nga Maqedonia e Veriut, dhe i njëjti qëndrim vlen edhe sot.

Kjo siç sqaron Xhaferi ka kuptim si në aspekt të luftës por edhe të krizës ekonomike që do të pason.

“Sa i takon zhvillimeve në Ukrainë, ne, qëndrimin tonë si deputet dhe si subjekt politik e kemi bërë të qartë. E dini se si atëherë, në zgjedhjet në vitin 2014, kryetari i BDI-së tha se nuk është Ukraina larg nga këtu dhe kjo është aktuale edhe sot. Ajo nuk është larg nga këtu, sepse pasojat janë të afërta dhe të rëndësishme, si në aspekt të luftës, por edhe ekonomisë. Sigurisht se ato do të kenë ndikime të ndryshme dhe të mëdha si në botë, por edhe te ne”, tha Xhaferi, duke shtuar se akti i sotëm rus cenon sovranitetin e Ukrainës.