Zelensky: Rusisë t’i hiqet e drejta e votës në Këshillin e Sigurimit, Moska po bën gjenocid

Shpërndaje

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka kërkuar që Rusisë t’i hiqet e drejta e votës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, duke u shprehur se veprimet kriminale të Rusisë në Ukrainë janë në prag të “gjenocidit”.

Rusia (dhe para saj BRSS) është një nga pesë vendet që nga viti 1945 ka qenë anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duke i dhënë asaj të drejtë të fuqishme vetoje mbi çdo rezolutë “përmbajtësore” që shqyrtohet nga ky organ. Të premten Rusia përdori të drejtën e vetos për të bllokuar një rezolutë të Këshillit të Sigurimit që dënon agresionin e Moskës dhe kërkon tërheqjen e saj nga Ukraina, transmeton BBC.

Këshilli i Sigurimit u krijua pas Luftës së Dytë Botërore për të shmangur konfliktet e ardhshme dhe për të promovuar paqen, me katër anëtarë të tjerë të përhershëm: SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Kina.