Dhjetëra të vdekur dhe shumë të tjerë të plagosur – pamje dhe detaje nga shpërthimi i një bombe brenda një xhamie në Pakistan

Shpërndaje

Një bombë e fuqishme ka shpërthyer brenda një xhamie shiite në qytetin veriperëndimor të Pakistanit, Peshawar, duke vrarë më shumë se 50 njerëz dhe duke plagosur dhjetëra të tjerë, shumë prej të cilëve në gjendje kritike.

Sipas Al Jazeera, përcjell Telegrafi, shpërthimi ndodhi ndërsa besimtarët ishin mbledhur në xhaminë Kucha Risaldar në zonën e qytetit të vjetër të Peshawarit për faljen e së premtes.

Zyrtarët e spitalit thanë se të paktën 56 njerëz u vranë, duke rishikuar numrin e mëparshëm prej 30 të vdekurve. Të paktën 194 persona u raportuan të plagosur.

Nuk kishte asnjë pretendim të menjëhershëm të përgjegjësisë.

Shefi i policisë në Peshawar, Muhammed Ejaz Khan, tha se dhuna filloi kur dy sulmues të armatosur hapën zjarr ndaj policisë jashtë xhamisë.

Një sulmues dhe një polic u vranë në përleshje me armë, dhe një tjetër polic u plagos.

Sulmuesi i mbetur më pas hyri në xhami dhe shpërtheu një bombë. /Telegrafi/