Gjykata i dha “vulën” e PD-së, Berisha mesazh për demokratët

Shpërndaje

Komisioni i Rithemelimit ka mbërritur në selinë e PD-së, pas vendimit të Gjykatës për të njohur Kuvendin e 11 dhjetorit të thirrur nga Berisha, dhe ndryshimet statutore të bëra gjatë tij.

Deputetët Flamur Noka, Belind Këlliçi, Edmond Spaho, Albana Vokshi dhe të tjerë janë disa prej anëtarëve të Komisionit të Rithemelimit që kanë hyrë në seli.

Aktualisht në selinë e PD janë Enkelejd Alibeaj dhe Gazment Bardhi

Parditen e sotme, përfaqësuesi ligjor i Komisionit të Rithemelimit, Ivi Kaso njoftoi se ky Komision do të zhvillonte një mbledhje.

Pas mbledhjes, Komisioni i Rithemelimit mbërriti në selinë e PD-së për t’u takuar me sekretarin e Përgjithshëm Gazmend Bardhi dhe kryetarin e Komanduar të PD-së Enkelejd Alibeaj.

Gjykata e Tiranës mori vendimin të premten për të njohur Kuvendin e 11 dhjetorit, dhe miratoi ndryshimet në statutin e PD-së e simboleve që janë marrë gjatë këtij Kuvendi.

Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar pasi gjykata njohu sot Kuvendin e 11 Dhjetorit. Në një prononcim të shkurtër për mediat para nisjes së mbledhjes së Komisionit të Rithemelimit, Berisha iu drejtua me një mesazh demokratëve, për bashkim.

“Në vlerësimin e çdo shqiptari nuk mund të ishte ndryshe. Mesazhi për demokratët është një dhe vetëm një; bashkim, bashkim, bashkim. Do të dal në një takim të shkurtër prapë“, tha Berisha.

Sakaq, në një deklaratë më herët anëtari i Komisionit të Rithemelimit, Ivi Kaso tha se në mbledhjen e sotme do të merren vendime të rëndësishme.