Heqja e “20%” nga Kushtetuta! BDI e ASh presin të bëhet kur të hapet Kushtetuta
Nuk pajtohen për shumë gjëra, por Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Aleanca për Shqiptarët janë të një mendimi për heqjen e definimit të shqiptarëve si “20%” në Kushtetutë. Deputetja integriste Arta Bilalli-Zendeli u shpreh e bindur se shqiptarët në Regjistrim do të dalin mbi 25% dhe se pas rezultateve të regjistrimit Kushtetuta do të ndryshohet.
“Besoj se do të arrihet deri në kompromis, në qoftë se rezultate e regjistrimit do të jenë të pranueshme dhe edhe nëse ka pasur ndokush që e ka bojkotuar, ata nuk do të jenë me peshë. -Vetë VMRO-ja… -Megjithatë, janë regjistruar. Ka thirrur një kohë por pastaj janë regjistruar. Mendoj se do të arrihet që të gjendet një kompromis për shkak se një matematikë e thjeshtë, 74 jemi LSDM dhe deputetët shqiptarë, nevojiten edhe 6 deputetë, mendoj se do të arrihet një kompromis për ta ndryshuar këtë. Nuk dua të paragjykoj se a do të jetë apo jo kontrabandë por mendoj se është në të mirën e shtetit që të zgjidhet një çështje dhe të mos quhemi si populli 20% por të quhemi si populli shqiptar ashtu siç jemi”, tha Arta Bilalli-Zendeli, deputet BDI.
Adnan Neziri nga ASh u shpreh se Regjistrimi është evidencë statistikore dhe nuk ka lidhje si proces me përkatësinë etnike, por në Maqedoni politizohet për shkak se Kushtetuta është e politizuar andaj edhe duhet të ndryshohet.
“BDI duhet të arrijë të iniciojë me LSDM-në dhe bashkërisht opozitë, pozitë, punojnë që ky lëshim ndaj shqiptarëve të korrigjohet. Presioni na bie neve partive shqiptare ta bëjmë dhe ne në hapjen e parë të Kushtetutës do të bëjmë presionin e madh që ta arrijmë këtë”, theksoi Adnan Neziri, deputet Ash-së.
Nëse VMRO-DPMNE-ja nuk pranon që 20% të hiqet nga Kushtetua, dy deputetët u shprehën se kjo do të ulte gjasat për koalicionim në të ardhshmen mes VMRO-së dhe partive shqiptare.