ASH: Lëvizja Besa dhe Kryetari i Komunës së Zhelinës, Blerim Sejdiu, mbrëmë treguan se sa bukëshkelë janë

Shpërndaje

Reagim i Aleancës për Shqiptarët – Dega Zhelinë
Lëvizja Besa dhe Kryetari i Komunës së Zhelinës, Blerim Sejdiu, mbrëmë treguan se sa bukëshkelë janë, ashtu siç treguan që kur i bëmë fitues në këtë komunë.
Në radhë të parë i gjithë opinioni, madje edhe vetë aktivistët e Lëvizjes Besa në Zhelinë janë dëshmitarë se si, jo vetëm struktura e degës, por edhe eksponentë të lartë partiakë kanë qenë pjesëmarrës aktiv në shumicën dërmuese të aktiviteteve, në mbështetje të kandidatit të Lëvizjes Besa. Një fakt i pakontestueshëm që demaskon akuzat e ulëta dhe bukëshkelëse, është edhe vetë rezultati në dy rrethet zgjedhore. Kujtojmë se në rrethin e parë, kandidati i Lëvizjes Besa kishte 400 vota më pak, si ai i BDI-së. Përveç këtyre dy partive, kontingjent vendimtar të votave kishin edhe dy partitë tjera, LSDM e cila në rrethin e dytë haptas mbështeti BDI-në, si në çdo komunë edhe në Zhelinë, si dhe Aleanca për Shqiptarët e cila mbështeti kandidatin e Lëvizjes Besa. Falë mbështetjes tonë dhe angazhimit maksimal, kandidati Blerim Sejdiu arriti të përmbysë rezultatin dhe të triumfojë në rrethin e dytë.
Kujtojmë se Aleanca për Shqiptarët ka mbështetur Sejdiun dhe Lëvizjen Besa në dy cikle zgjedhore dhe ndihma jonë ka qenë vendimtare në vitin 2017 dhe në 2021, edhe pse në asnjërin mandat kryetari aktual nuk ka treguar asnjë shenjë mirënjohje dhe koalicionet i ka bërë me partitë kundërshtare. Megjithatë në emër të zotimeve tona për luftë kundër regjimit aktual nuk kemi ngritur asnjëherë tema të tilla dhe nuk kemi vënë në dyshim mbështetjen tonë. Por, sot pyesim Lëvizjen Besa dhe kryetarin e Komunës së Zhelinës se cilat janë motivet e vërteta dhe kush i shtyri që të bëhen bukëshkelë dhe në mënyrë aq të ulët të tentojnë të mohojnë mbështetjen e Aleancës për Shqiptarët. Kujt i shërbejnë deklaratat dhe akuzat e tilla, për të cilat të gjithë banorët e Zhelinës janë dëshmitarë se nuk mbajnë dhe paraqesin nivel të ulët të mosmirënjohjes.
Aleanca për Shqiptarët – Dega Zhelinë