IPK: Zyrtarët policorë që u arrestuan sot dyshohet se u përfshinë në mbi 400 veprimtari kriminale

Shpërndaje

Kryeshefi ekzekutiv i Inspektoratit Policor të Kosovës, Kushtrim Hodaj, ka thënë se zyrtarët policorë të cilët janë arrestuar sot dyshohen se janë të përfshirë në mbi 400 veprimtari kriminale të marrjes së ryshfetit.

Hodaj në konferencën e thirrur për media ka deklaruar se tashmë kanë dhënë rekomandimin për suspendim të 50 zyrtarëve, transmeton Telegrafi.

“Ata janë arrestuar për keqppërdorim të pozitës zyrtare, ekziston dyshimi se të arrestuarit janë të përfshirë në mbi 400 veprimtari kriminale, të marrjes së ryshfetit. U është caktuar masa e paraburgimit prej 48 orë, dhe të njëjtit është dhënë rekomandimi për suspendim nga puna”, deklaroi ai.

Në konferencë ka folur edhe Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi ka thënë se aksioni është zhvilluar pas një hetimi që ka zgjatur një vit.

“Dy prokurë kanë qenë të angazhuar në hetime, gjatë fazës së hetimeve kemi përdorur shumë mjete të hetimit dhe vëzhgimit të fshehtë që të sigurojmë prova të mjaftueshme se ata po marrin ryshfet në pikat doganore”, deklaroi ai.

Tutje, kryeprokurori i shtetit deklaroi se edhe 10 persona janë në arrati.

“Sot jemi njoftuar se janë arrestuar 50 zyrtarë shtetërorë, 48 nga policia e Kosovës, dhe dy nga shërbimi doganor i Kosovës. Ndërsa personat tjerë janë në arrati, dhe disa nuk janë shtetas të Kosovës”.

Kryeprokurori i Shtetit në konferencë e vlerësoi si të suksesshëm operacionin e sotëm.