Kryeministri Kurti gjatë vizitës në kompaninë “Floil”: Po angazhohemi që mos të ketë mungesë të vajit në vendin tonë
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti bashkë me ministren e Tregtisë, Industrisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari dhe ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, vizituan sot fabrikën “ Floil” në Gjilan, ku panë nga afër dhe u njoftuan nga pronari i kësaj kompanie, Berat Mustafa, për punën që bën kjo kompani, procesin e prodhimit të vajit ushqimor dhe ambientin ku prodhohet ai.
Pas vizitës që i bëri kompanisë, kryeministri Kurti tha se kjo është rafineria e vetme e përpunimit të vajit që e kemi në vendin tonë dhe me këtë rast u njoftuam që në stoqe i kanë rreth 300 mijë litra vaj të papërpunuar, i cili pas përpunimit do të mjaftojë për rreth 1 muaj për konsumin që ekziston në Republikën e Kosovës.
“Është lajm për gjithë qytetarët e Republikës, se tashmë kemi vaj të papërpunuar që do të përpunohet dhe do të mjaftojë për konsumin rreth një muaj. Ndërkohë, gjatë këtij muaji ne do të angazhohemi si Qeveri e Republikës së Kosovës, që të gjejmë burime të lëndës së parë të vajit të papërpunuar në shtete mike, partnere, aleatët tanë, ashtu që në Kosovë të vijë vaji i papërpunuar, që mund të përpunohet dhe në këtë mënyrë të mos ketë mungesa në vendin tonë”, u shpreh ai.
Më tej, kryeministri Kurti tha se është e vërtetë që për shkak të luftës në Ukrainë, agresionit dhe invazionit rus, kemi ngritje të çmimit të vajit të papërpunuar në bursat ndërkombëtare, që po i afrohet nivelit prej 3000 dollarë për një ton të vajit të papërpunuar. Megjithatë, ai tha se aktualisht, kërkesa është artificialisht shumë më e lartë se sa konsumi dhe se nuk është as për së afërmi duke u konsumuar ajo që po paraqitet si kërkesë e që po bëhet si shitje.
Kompania “Floil” prodhon vajin e vetëm vendor në industrinë e ushqimit “FLOIL”, cilësia e së cilës është verifikuar nga ekspertët italian për kualitetin e tij dhe që i plotëson standardet ndërkombëtare të ushqimit IFS. Po ashtu, kjo kompani ka të mbjellë afër 40 hektarë sipërfaqe me lulediell, kulturë kjo, e cila me vendimin e qeverisë do të përkrahet me 36 për qind, për vitin 2022.
Deklarata e plotë e kryeministri Kurti për media:
Bashkë me dy ministrat e Qeverisë së Republikës së Kosovës, Ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, znj. Rozeta Hajdari dhe Ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, z.Faton Pecin, erdhëm tek kompania “Floil”, në mënyrë që të shohim për së afërmi prodhimtarinë e vajit ushqimor në Kosovë. Kjo është rafineria e vetme e përpunimit të vajit, që e kemi në vendin tonë dhe me këtë rast u njoftuam që në stoqe i kanë rreth 300 mijë litra vaj të papërpunuar, i cili pas përpunimit do të mjaftojë për rreth 1 muaj për konsumin që ekziston në Republikën e Kosovës.
Pra, është lajm për gjithë qytetarët e Republikës, se tashmë kemi vaj të papërpunuar që do të përpunohet dhe do të mjaftojë për konsumin rreth një muaj. Ndërkohë, gjatë këtij muaji ne do të angazhohemi si Qeveri e Republikës së Kosovës, që të gjejmë burime të lëndës së parë të vajit të papërpunuar me shtetet mike, partnere, aleatët tanë, ashtu që në Kosovë të vijë vaji i papërpunuar, që mund të përpunohet dhe në këtë mënyrë të mos ketë mungesa në vendin tonë.
Aktualisht, kërkesa është artificialisht shumë më e lartë se sa konsumi. Nuk është as për së afërmi duke u konsumuar ajo që po paraqitet si kërkesë e që po bëhet si shitje. Është e vërtetë që për shkak të luftës në Ukrainë, agresionit dhe invazionit rus atje, kemi ngritje të çmimit të vajit të papërpunuar në bursat ndërkombëtare, i cili po i afrohet nivelit prej 3000 dollarë për një ton të vajit të papërpunuar.
Sido që të jetë, në Kosovë kemi edhe rreth 300 mijë litra vaj të papërpunuar që pas përpunimit në këtë rafineri mjafton për një muaj konsum normal.
Pyetje: Ky vaj kushton sot 3 euro e gjysmë. A është kjo e përballueshme dhe a pritet të zbritet kjo dhe nëse e siguroni lëndën e parë?
Kryeministrit Kurti: Po të ishte çmimi 3 euro e gjysmë, siç thatë ju, do të thoshim që ndoshta është edhe e rastësishme, mirëpo ishte 3 euro e 49 cent. Anembanë marketeve nëpër Kosovë, po na njoftojnë qytetarët e Republikës, konsumatorë në këto markete përmes fotografive të rafteve, çmimi identik 3 euro e 49.
3 euro gjysmë do të mund të ishte rastësi, por 3 euro e 49, nuk është e rastësishme kjo përputhje anembanë Kosovës, e cila është një fryrje artificiale në dëm të konsumatorëve të Kosovës.
Nuk ka kurrfarë arsye, kurrfarë nevoje për një fryrje të këtillë. Aktualisht, çmimi i vajit ushqimor në Republikën e Kosovës është më i larti në botë. Pra, bëhet fjalë për ç ‘fryrje të çmimeve, të cilat çmime të fryra bëhen prej faktorit njeri, e jo prej gjendjes objektive në terren.
Këto çmime të fryra duhet të ç ‘fryhen dhe unë besoj që kjo që thash tani, se i kemi 300 mijë litra vaj të papërpunuar këtu, është mëse e mjaftueshme që të gjithë ta kuptojnë se nuk ka vend për këtë lloj paniku, i cili është përhapur. Pra, çmimi prej 3 euro e 49 cent është artificial, i paarsyeshëm dhe ka të bëjë me njerëzit që dëshirojnë të përfitojnë nga një krizë botërore, e jo nga gjendja reale në vendin tonë
Pyetje: Si do ta shmangni këtë rritje. Z. Kryeministër a do merrni masa Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, me inspektorët e saj për marketet që e kanë bërë fryrjen e këtyre çmimeve, pronarëve për shembull?
Kryeministri Kurti: Padyshim që do të marrim masa. Inspektorët janë duke bërë dokumentimin e të gjitha shkeljeve, mirëpo unë nuk jam i udhëhequr vetëm nga ideja e ndëshkimit që duhet të ndodhë, po jam i udhëhequr nga parandalimi i dëmit që tashmë po shkaktohet. Sepse, ju e dini, inspektorët marrin evidencë për shkeljet dhe më pastaj fillon procedura e procesit të ndëshkimit, po kjo po merr kohë. Njerëzit ushqehen përditë.
Prandaj, në spikamë tek ne sot nuk është vetëm evidentimi, regjistrimi i shkeljeve, po është edhe parandalimi i dëmeve që po ndodhë me këto manipulime të çmimeve nga faktori njeri, e kurrsesi nga situata objektive në vendin tonë.
Lajmi i plotë: Kryeministri Kurti gjatë vizitës në kompaninë “Floil”: Po angazhohemi që mos të ketë mungesë të vajit në vendin tonë